Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në Vushtrri. Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza tha se më 9 shkurt “nuk po vendosim vetëm për një parti, por për Kosovën”.
“Vushtrria ka biznese të suksesshme, që sot punojnë për tregun e Kosovës, por janë edhe eksportues të rëndësishëm. Ne do t’i përkrahim me politika fiskale përmes lehtësirave tatimore dhe lehtësimit të qasjes në financa. Do t’i përkrahim me 30% grante për linja të prodhimit dhe ndryshim të teknologjisë. Për këtë, ne do të bëjmë investime konkrete në Vushtrri. Ne nuk jemi si të tjerët. Rruga rajonale nga Barileva në Bajgorë do të bëhet realitet. Kjo do të hapë rrugën për turizëm dhe zhvillim ekonomik. Do ta funksionalizojmë zonën industriale, që do të tërheqë investime dhe do të hapë vende pune. Këto nuk janë thjesht premtime. Janë angazhime konkrete për të cilat do të mbajmë përgjegjësi”, tha Hamza.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se është koha të ndërtohen ura të zhvillimit për një të ardhme më të mirë.
Para simpatizantëve në Vushtrri, Krasniqi tha se e ardhmja fitohet me punë, besim, guxim dhe njerëz që e mbajnë fjalën.
“Ju vushtrrias jeni mjeshtër të ndërtimit, jo vetëm të urave e të kalave, por të vet historisë, e tash populli i Kosovës ka nevojë për një urë të re, një urë drejt një Kosove më të fortë, më të zhvilluar, më të mirë. Sot Kosova e ka njeriun që i duhet, prandaj ka nevojë për mbështetjen tuaj, ai është Bedri Hamza, një njëri i ndershëm, një profesionist i dëshmuar, një patriot që gjithmonë ka punuar për Kosovën, një familjar që i di hallet e secilës shtëpi, por mbi të gjitha një lider që mban fjalën”, tha Krasniqi.