KQZ miraton fletëvotimet për zgjedhjet e 9 shkurtit, dështon ndarja e mjeteve për subjekte

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar të mërkurën dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Kundër, kësaj pike të rendit të ditës ishin anëtarët e KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, me arsyetimin se në këto fletëvotime është e përfshirë edhe Lista Serbe.

“E kam parë këtë fletëvotim dhe unë deklaroj hapur, e votoj këtë fletëvotim por pa subjektin Lista Serbe”, tha Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Por në këtë mbledhje, nuk ka kaluar rekomandimi për ndarjen e mjeteve nga Fondi për mbështetje për subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Shkak për këtë ishte përfshirja e Listës Serbe në 14 subjektet politike përfituese të këtij fondi.


Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se Zyra i rekomandon KQZ-së që të bëjë ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vetëm dy muaj – janar dhe shkurt “për shkak se pas konstituimit të Kuvendit që mund të ndodh në muajin mars, mund të ndryshojë përfaqësimi dhe gjithashtu numri i deputetëve”.

Pas kësaj, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi tha se është kundër ndarjes së mjeteve për Listën Serbe.

“Unë jam kundër ndarjes së mjeteve për Listës Serbe, argumentet i kam dhënë, dëshmitë i kam ofruar, nuk ka ndryshuar asgjë në trashëgiminë dhe në të tashmen e këtij subjekti politik, prandaj unë jam kundër dhe vota ime është kundër ndarjes së mjeteve për Listën Serbe”, tha Kurteshi.

Numri i përgjithshëm i votuesve për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, është mbi 2 milionë e 75 mijë.

Ndërkaq, numri i personave që janë regjistruar për votim jashtë Kosovës është rreth 105 mijë votues.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video