KQZ-ja pret të përfundojë numërimi i votave gjatë ditës së nesërme

Në mëngjesin e sotshëm (e martë), në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë, ka filluar numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Ndërkaq, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media tha se pritet që të përfundojnë më 5 mars të këtij viti.

Sa i përket numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës, përmes postës, Elezi tha se janë duke u numëruar 10 kuti të fundit, proces i cili do të përmbyllet sot në ora 16:00, raporton KosovaPress.


“Ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe pastaj edhe votave të personave me nevoja të veçanta. Numërimi i këtyre votave të fundit, do të bëhet gjatë ditës së sotme dhe presim që të përmbyllet deri ditën e nesërme, e mërkurë… Sa i përket numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht përmes postës, sot janë duke u numëruar të fundit, 10 kuti të fundit në të cilat ka fletëvotime dhe ky proces do të mbyllet deri në orën 16:00”, tha Elezi.

Ndërsa, rreth përleshjeve që po ndodhin çdo ditë në QNR, tashmë një gjë e zakonshme, Elezi shtoi se çdo palë që ka diskutime për pavlefshmërinë apo vlefshmërinë e fletëvotimeve të drejtohen në PZAP.

Lexo edhe

Video