KQZ u rikujton partive dorëheqjen e anëtarëve të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë

KQZ u rikujton partive dorëheqjen e anëtarëve të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u ka dërguar partive politike një letër ku iu rikujton dispozitat e Ligjit për Qeverinë, konkretisht nenin që kërkon dorëheqjen e anëtarëve të Qeverisë aktuale që janë zgjedhur deputetë në legjislaturën e re.

Në letër, KQZ iu ka kujtuar partive se, sipas nenit 26 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, paragrafi 1, “në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para datës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”.

Më tej, Komisioni bëri të ditur se më 26.03.2025 ka pranuar vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me ankimet ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me shpalljen e rezultatit përfundimtar të procesit zgjedhor nga ana e KQZ-së, raporton KosovaPress.


“Po ashtu, janë marrë konfirmimet nga këto dy institucione se nuk ka ndonjë ankesë tjetër që ka të bëjë me procesin zgjedhor dhe që kërkon vendimmarrje. Për këtë arsye, Komisioni ka njoftuar se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 09.02.2025, do të bëhet më 27.03.2025, në orën 16:00”, thuhet në letrën e Radoniqit, drejtuar partive politike.

Për sa i përket certifikimit të rezultateve, ky proces do të realizohet sot, më 27.03.2025, në orën 16:00. Deri tani, KQZ nuk ka marrë përgjigje nga partitë politike.

Nga Qeveria aktuale votat për deputetë edhe për legjislaturën e re i kanë marr kryeministri Albin Kurti, ministrat e zëvendësministrat Faton Peci, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Donika Gërvalla-Schwarz, Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Liza Gashi,  Rozeta Hajdari, Fikrim Damka, Nenad Rashiq, Elbert Krasniqi, Emilja Rexhepi.

Lexo edhe:
https://kosovapress.com/kqz-mblidhet-sot-certifikimi-i-rezultateve-perfundimtare-ne-rend-dite

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video