Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e di saktë pse në natën e 9 shkurtit nuk funksionoi platforma e tyre online, por tashmë për këtë telashe ky institucionet ka dy versione.
Anëtari i këtij Komisioni, Arianit Elshani thotë se për rënien e ueb-faqes ekziston një version nga operatori ekonomik dhe ai i vetë KQZ-së.
Elshani thotë se një gjë është e sigurt se gjatë numërimit të votave, operatori i terrenit në Pejë dhe Podujevë, kanë vendosur rezultate të pasakta në aplikacionin e KQZ-së.
“Kemi dy versione, kemi versionin e operatorit dhe kemi versionin e KQZ-së. Ne jemi duke hartuar tash një analizë nga të gjithë akterët e involvuar në këtë rast edhe nga institucionet tjera të Kosovës që të hartojnë një raport të qartë se çka ka ngjarë në ditën e zgjedhjeve. Për një gjë jemi të sigurt që ka ndodhur janë dy operatorë të terrenit të cilët kanë qenë prezent në qendrat e votimit dhe që kanë taboluar rezultate të gabueshme një rast është I evidentuar në Pejë dhe tjetër në Podujevë që kanë vendosur në IPAD dhe aplikacionin e KQZ-së kanë vendosur më shumë vota për një subjekt politik, 112 mijë në një vend dhe rreth 40 mijë vota për një subjekt politik”, theksoi ai.
Një sulm i mundshëm i platformës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo pastrimi i rrjetit të brendshëm mes serverëve të KQZ-së dhe vetë platformës, po shihen si dy mundësi që kanë sjell mos-funksionimin e ueb-faqes së KQZ-së, pas përfundimit të procesit të votimit.
“Tashmë dyshohet për dy gjëra të tjera një për një sulm që ka mund t’i bëhet platformës së KQZ-së dhe tjetra është çështje e pastrimit të rrjetit të brendshëm mes serverëve të KQZ-së dhe vetë platformës. Ne i kemi pasur rezultatet në tërësi në platformë, mirëpo nuk kemi mundur t’i transmetojmë në publik, meqë ka krijuar edhe rënie të uebfaqes”, u shpreh Elshani.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani thotë se operatori ekonomik që merret me serverin, nuk është i kontraktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Mbrëmjen e 9 shkurtit pas mbylljes së qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi me publikimin e të dhënave mbi rezultatet preliminare, mirëpo më pas filloi të ketë probleme teknik dhe kishte rënë i gjithë sistemi, duke u pamundësuar edhe qasja në platformën e KQZ-së.
Lidhur me këtë problem të KQZ-së, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme, pasi ka pranuar informacion rreth mos-funksionimit të platformës së KQZ-së, ka kërkuar nga ky institucion marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo.
Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës votuan për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme. Ky proces zgjedhor është konsideruar demokratik dhe i qetë.