Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) tha se është duke vazhduar me monitorimin e Ofruesve ë Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) edhe gjatë ditës së heshtjes zgjedhore.
Përmes një njoftimi KPM u ka bërë thirrje dhe një herë mediave që të respektojnë obligimet lidhur me procesin zgjedhor, respektivisht heshtjes zgjedhore, duke shmangur çfarëdo raportimi i cili mund të bie ndesh me rregullat e heshtjes zgjedhore dhe mund të dëmtonte procesin e votimit.
“Respektimi i heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, përveç që është obligim ligjor, i ndihmon votuesit që të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre ligjore dhe kushtetuese të votës. Prandaj, çdo thyerje e heshtjes zgjedhore nga ana e OSHMA-ve, në këtë periudhë shumë të rëndësishme zgjedhore, mund të ndërhyjë në vullnetin dhe orientimin e qytetarëve për ushtrimin e të drejtës së votës sipas përcaktimit të tyre të lirë dhe demokratik”, thuhet në njoftimin e KPM-së.