KPK dhe ZKPSh i reagojnë Kurtit: Zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas interesave

KPK dhe ZKPSh i reagojnë Kurtit: Zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas interesave

Këshili Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, i kanë reaguar deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti duke thënë se veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe kryeministrin, qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit.

“Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, rikujtojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë, duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

KPK dhe ZKPSH, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

“Pa marrë parasysh përpjekjet për degradimin e organeve kushtetuese nga ana e Kryeministrit Kurti, KPK dhe Prokurori i Shtetit inkurajojnë dhe mbështesin fuqishëm Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj, siç janë hetimi, ndjekja dhe ndriçimi i secilit rast penal që bie në kompetencë të saj, me qëllim të ngritjes së moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit në vendin tonë”, përfundon njoftimi.  

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur sot për të dhënë dëshminë e tij përkundër faktit që ka qenë i obliguar me urdhër të gjykatës.


Kryeministri Kurti tha se nëse prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë e tij do të duhej të shkonte te ai.

“Kjo prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin e korrupsionin”, tha Albin Kurti të martën në Gjilan.

Ai, me urdhër të Gjykatës Themelore, duhej të paraqitej sot më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshmi në një rast të rezervave shtetërore, por zgjodhi të marrë pjesë në një ngjarje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, raporton KosovaPress.

Lexo edhe:
https://kosovapress.com/prokuroria-e-konfirmon-se-kurti-nuk-eshte-paraqitur-per-ta-dhene-deshmine-e-tij/

Lexo edhe:
https://kosovapress.com/kurti-nese-prokuroria-e-ka-te-rendesishme-deshmine-time-duhet-te-vije-tek-une

Lexo edhe

Video