Raporti Botëror i Lumturisë 2025 e cilëson Kosovën si vendin e 29-të më të lumtur në tërë globin në vitin 2024, duke e bërë atë vendin e parë më të lumtur në rajon.
Jeta në Kosovë vlerësohet afro 7 pikë (6.659) nga 10 në tërësi, tregon raporti, i cili u publikua nga një partneritet mes Gallup, Qendrës për Hulumtimin e Mirëqenies në Oxford, Rrjetit të Zgjidhjeve për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara dhe një bordi editorial.
Shtetet që kufizojnë Kosovën gjenden pas si Mali i Zi është në vendin 71, Maqedonia e Veriut në vendin e 86, Shqipëria në vendin e 89 dhe Serbia në vendin e 31, raporton KosovaPress.
Kosova në kuadrin e lumturisë kishte rënien më të madhe në vitin 2012, kurse në vitin 2018 ajo pati ngritje.
Raporti i publikuar nga OKB-ja këtë vit u përqendrua në ndikimin e kujdesit dhe ndarjes në lumturinë e njerëzve, për ata që marrin kujdes si dhe anasjelltas, për ata që kujdesen për të tjerët.
Përmes anketave, organizata bëri pyetje që lidheshin me bamirësi, vullnetarizëm dhe ndihmën e të panjohurit. Në bazë të të dhënave, nga popullsia e Kosovës 54.8% e njerëzve dhuruan bamirësi, 7.3% vullnetarizuan dhe 62.7% ndihmuan një të panjohur.
Hulumtimi dëshmon që njerëzit janë pesimistë për bamirësinë e të tjerëve, por kur humbasin portofolë, ata kthehen më shpesh se sa prisnin.
Po ashtu, u vu në konsideratë ndikimi pozitiv i bamirësisë ndaj të tjerëve, e cila u rrit gjatë COVID-19 dhe vazhdon të rritet ende. Edhe pse ka pasur një rënie nga 2023 në 2024, aktet bamirësie janë ende rreth 10% më të larta se para pandemisë, thuhet në raport.
Pjesë tjera të raportit përfshijnë shpërndarjen e ushqimit me të tjerët, e cila paraqet një formë universale të kujdesit dhe ndarjes, si dhe lidhjet familjare.
Njerëzit që jetojnë vetëm shpesh përjetojnë nivele më të ulëta lumturie. Edhe njerëzit që jetojnë në familje shumë të mëdha mund të ndjejnë më pak lumturi, ndoshta për shkak të kënaqësisë më të ulët ekonomike.
Sipas raportit, politikat publike duhet të marrin parasysh se si vendimet ekonomike mund të kenë efekte të dyta në marrëdhënie, duke ndikuar kështu në mirëqenien e familjeve.