Kosova synon kualifikimin historik në Kampionatin Botëror të Hendbollit

Me fitoren kundër Bosnje e Hercegovinës me rezultat 32-26, Kombëtarja e Kosovës në Hendboll është kualifikuar në raundin e dytë të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror të Hendbollit që zhvillohet vitin e ardhshëm.

Në krye me trajnerin Agron Shabani, vajzat e Kosovës shënuan kështu një sukses historik, por nga kjo federatë thonë se synimet e së ardhmes janë edhe më të mëdha.

Kryetari i kësaj federate, Eugen Saraqini thotë për KosovaPress se një rezultat i tillë ishte i pritur duke e ditur punën dhe përkushtimin e ekipit për një kohë të gjatë.


Kundërshtari i radhës për Kosovën do të mësohet nga shorti që do të hidhet në muajin dhjetor dhe Saraqini thekson se tejkalimi i pengesës së radhës do të ishte moment historik dhe i krenarisë për Kosovën.

E përzgjedhësi i Kosovës, Agron Shabani thotë se me pak fat, Kosova mund ta mposht edhe rivalin e radhës, por uron që në short të shmangen kombëtaret elitare evropiane.

Shabani bën thirrje që të rritet cilësia e kampionatit vendor në hendboll në mënyrë që konkurrenca në ekipin e kombëtares të jetë edhe më e fortë.

Shorti për raundin e dytë kualifikues të Kampionatit Botëror të Hendbollit do të hidhet më 14 dhjetor, ndërsa ndeshjet e radhës do të zhvillohen në muajin prill të vitit 2025.

Lexo edhe

Video