Kosova pa asnjë kontratë lobimi në SHBA

Kosova pa asnjë kontratë lobimi në SHBA

Si rrallëherë në historinë e pasluftës së Kosovës, institucionet shtetërore, aktualisht, nuk kanë asnjë kontratë aktive lobimi në Shtetet e Bashkuara. Njohësit e politikave vendore dhe ndërkombëtare paralajmërojnë se kjo rrezikon ta lërë Kosovën nën hije dhe “pa një vend në tavolinë”.

Që nga viti 1992, Kosova ka pasur pothuajse vazhdimisht kompani lobimi, të kontraktuara për të shtyrë përpara agjendën dhe interesat e saj në SHBA, shkruan REL.

Për momentin, asnjë kontratë e tillë nuk listohet si aktive në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Deri vitin e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës i ka pasur dy marrëveshje të tilla, por ato tani kanë skaduar.

Edhe pse ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se do të shqyrtohet vazhdimi i atyre kontratave njëvjeçare, një gjë e tillë nuk është bërë.


Analistja politike, Donika Emini, paralajmëron se institucionet e Kosovës nuk duhet të mbështeten vetëm në diplomacinë konvencionale – pra përmes ambasadave e konsullatave – veçanërisht në kohën kur, siç thotë, “tensionet gjeopolitike po përshkallëzohen dhe përçarjet transatlantike po thellohen”.

“Kosova kërkon e pret mbështetje politike nga SHBA-ja pa ofruar asgjë në këmbim. Uashingtoni nuk është një vend ku vlerësohesh vetëm për vullnetin e mirë; është një fushëbetejë e influencës, ku lobimi, partneritetet strategjike dhe aftësia diplomatike përcaktojnë se kush zë vend në tavolinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

Dhe, kush po zë vend në tavolinë? Serbia, thotë Emini.

Ajo argumenton se, përderisa Kosova nuk po arrin ta prezantojë veten si “kontribuuese e vlefshme në rendin e ri global”, Serbia “është pozicionuar si një aktore transaksionale, duke ofruar bashkëpunim ekonomik dhe duke shfrytëzuar burimet e saj natyrore”.

“Nëse Kosova nuk modernizon qasjen e saj diplomatike, rrezikon të bëhet një lojtare dytësore në politikën rajonale, me fatin e saj të diktuar gjithnjë e më shumë nga të tjerët, jo vetëm nga SHBA-ja, por edhe nga rivalët e saj rajonalë, të cilët janë shumë më agresivë, strategjikë dhe transaksionalë në angazhimin e tyre me Uashingtonin”, shton Emini.

Aktualisht, institucionet shtetërore të Serbisë kanë pesë kontrata lobimi aktive në SHBA. Institucionet e Kosovës s’kanë treguar nëse do të nënshkruhen kontrata të tilla tani, pas ndërrimit të administratës në SHBA.

Lexo edhe

Video