Kosova e ka detyrim ta mposhtë Rumaninë

Ballafaqimin e parafundit në Ligën e Kombeve, Kosova do ta zhvillojë nesër kundër Rumanisë në Bukuresht. Rumunët janë liderë të grupit 2 në Ligën C me 12 pikë, tri më shumë se “Dardanët” e vendit të dytë.

Megjithëse gjasat për kualifikim janë tashmë minimale, Kosova synon ta vazhdojë ecurinë pozitive të rezultateve pasi ka regjistruar tri fitore radhazi në këtë garë.

Analistë e njohës të futbollit konsiderojnë që triumfi ndaj Rumanisë do të ishte edhe një detyrim duke marrë parasysh humbjen që ata ua shkaktuan Dardanëve në “Fadil Vokrri”.

Trajneri i futbollit, Robert Gjeraj thotë për KosovaPress se asgjë tjetër përveç fitores nuk do të duhet të ishte alternativë për Kosovën në ndeshjen e nesërme.


“Na duhet një fitore si detyrim, jo për arsye për t’u kualifikuar patjetër, por si detyrim për t’i kënaqur tifozët tanë”, thekson Gjeraj.

Për gazetarin e sportit Besmir Topalli, mungesa e Milot Rashicës dhe Bersant Celinës do të ketë ndikim të madh në formacionin e Franco Fodas duke zvogëluar edhe më shumë gjasat për fitore.

Kurse, analisti i futbollit, Gani Sejdiu kosnideron se lojtarët duhet të japin maksimumin në fushë për një tjetër fitore, edhe pse përballja në Bukuresht nuk do të jetë aspak e lehtë.

Ndeshja ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:45 në stadiumin në Stadiumin Nacional në Bukuresht. /A.Bytyçi

Lexo edhe

Video