Më shumë se dy dekada më parë, NATO-ja intervenoi në Kosovë me qëllim që të ndalë terrorin që po shkaktohej nga forcat serbe, në luftën e viteve 1998/99.
Për 78 ditë zhvilloi bombardime mbi caqet e ushtrisë së atëhershme serbe, deri në Marrëveshjen e Kumanovës e cila shënoi kapitullimin e Serbisë me largimin e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe shënoi fundin e bombardimeve, shkruan KosovaPress.
Marrëveshja ishte negociuar në mes të KFOR-it dhe zyrtarëve ushtarakë ish-jugosllavë. Ky veprim dërgoi në krijimin e një force paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë të udhëhequr nga NATO-ja.
KFOR-i, nën udhëheqjen e NATO-s, zbarkoi në Kosovë në qershor të vitit 1999 – misioni i tij është garantimi i sigurisë dhe lëvizjes së lirë për të gjitha komunitetet.
Prezenca ushtarake ndërkombëtare në Kosovë u autorizua përmes rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ishte misioni më i madh paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, me rreth 50.000 trupa.
Sot, rreth 4.600 trupa të KFOR-it e vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë. Ata vijnë nga 27 shtete të botës.
Ushtarakët ndërkombëtarë u zvogëluan në numër nga viti në vit, pas përmirësimit të situatës në vend. Por, rëndësia e pranisë së tyre u theksua edhe njëherë në vitin 2023 pas tensioneve në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – ku shefi i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi për shtim të trupave.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në vend, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, shkruan KosovaPress.
Në vitin 2023 Serbia – përmes gupeve kriminale – sulmoi Policinë e Kosovës dhe la të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Një vit më vonë, sulmoi edhe infrastrukturën kritike të shtetit.
Këto zhvillime vetëm sa rritën thirrjet e autoriteteve të Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO. Por, janë disa shtete anëtare që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 – pengesë kjo në rrugën drejt aleancës më të madhe ushtarake.
Ushtarët e KFOR-it vazhdojnë të patrullojnë pranë vijës kufitare me Serbinë dhe prania e tyre në Kosovë konsiderohet të jetë e domosdoshme.
Qëndrimi i NATO-s për prezencën ushtarake në Kosovë sigurisht do të dëgjohet edhe njëherë të martën në Prishtinë nga vetë shefi i aleancës, Mark Rutte i cili po qëndron sot në Kosovë, transmeton KosovaPress.
Rutte do të takojë krerët e shtetit dhe do të flas para gazetarëve në një konferencë për media me presidenten Vjosa Osmani.