Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut, në një ceremoni solemne të organizuar me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka nderuar me mirënjohje Agjencinë e Lajmeve KosovaPress për punën dhe kontributin e çmuar për çlirimin e Kosovës.
Në këtë ngjarje u tha se roli i mediave ishte i rëndësishëm në informimin për mbështetjen e lirisë dhe demokracisë. Çmimin për KosovaPress e mori gazetari Naim Balidemaj, i cili ka punuar për KosovaPress gjatë luftës nga Nju Jorku.
Mirënjohjet u ndan nga Anëtari i Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut, shqiptaro-amerikani, Mark Gjonaj.
Krahas Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, mirënjohje janë ndarë edhe për Radio Televizionin 21 dhe Bota Sot dhe të tjera.
“Aq shumë media meritojnë mirënjohje në mbarë botën. Fatkeqësisht, ne mund të përmendim vetëm ato që janë në qytetin e Nju Jorkut, sepse përndryshe do të ishin me qindra, nëse jo mijëra mediume që meritojnë mirënjohje. Por njerëzit që po shpërblejmë sot, dhe mediat që po shpërblejmë sot duke ju shpërblyer ju, ne i shpërblejmë ata, ju po pranoni Mirënjohje, jo vetëm për median tuaj, por për të gjithë ata korrespondentë në mbarë botën që duhet të shpërblehen dhe meritojnë mirënjohje, RTV21, Halil Mula, Bota Sot, Beqir Sina, Albanian Culture TV, Adem Veliu, KosovaPress, Naim Balidemaj, Alba Live TV, Qemal dhe Kozeta Zylo, Radio Zani i Kombit, Xhevat Kukaj, Radio Zani i Malësisë, Xheto Senishtaj, ndërsa Mirënjohjen pranon nipi i tij, Driton Senishtaj, dhe për TV Viktoria, kemi familjen e Hasan Osmanaj, ndërsa në emër të tyre do të jetë Halil Mulaj, që do të pranojë Mirënjohjen”, tha ai.
Në shënimin e festës së madhe në Nju Jork ishte i pranishëm edhe konsulli i Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka.