Eksperimentet mbi koronavirusin e ri HKU5-CoV-2, të zbuluar në Kinë dhe të përshkruara në revistën Cell, duhet të kryhen me kujdes më të madh, thotë virologu Francesco Broccolo nga Universiteti i Salentos.
Ai thekson shqetësimet që ka komuniteti shkencor për metodat e kërkimit të përdorura, veçanërisht manipulimin e virusit në laborator. Eksperimentet realizohen në një laborator biosigurie Bsl-2 në Institutin e Virologjisë të Wuhan, i njëjti institut ku janë kryer eksperimente të tipit ‘fitimi i funksionit’, që kanë për qëllim të prodhojnë modifikime gjenetike të virusit.
Rezultatet e grupeve të virologëve, të udhëhequr nga Jing Chen, tregojnë se virusi i ri lidhet me qelizat njerëzore përmes receptorit Ace2, të njëjtit që përdor edhe SARS-CoV-2. Kjo karakteristikë është shqetësuese për rrezikun e përhapjes së virusit, duke rritur mundësinë e zhvillimit të varianteve që mund të jenë më të përshtatshme për trupin njerëzor. Kjo aftësi është konfirmuar gjithashtu nga eksperimentet që përdorin agregate qelizash nga sistemi respirator i njeriut, shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA.
Broccolo ka shprehur dyshime mbi metodologjinë e manipulimit të virusit “in vitro”, duke theksuar se përshpejtimi artificial i proceseve që ndodhin natyrshëm mund të ketë pasoja të rrezikshme. Kjo mund të ndihmojë në krijimin e varianteve që evoluojnë më shpejt dhe bëhen më të përshtatshme për mikpritësin njerëzor, duke rritur rrezikun e përhapjes së virusit.
Ai kërkon një debat më të thelluar mbi rreziqet dhe përfitimet e këtyre eksperimenteve, duke marrë parasysh pasojat e mundshme për shëndetin publik. Broccolo thekson se diversiteti gjenetik i koronaviruseve në natyrë dhe aftësia e tyre për t’u evoluar shpejt gjatë transmetimit ndër-specifik, përbëjnë një kërcënim të madh për sigurinë e eksperimenteve të tilla.