Policia e Kosovës ka njoftuar se në magjistralen Gjilan-Ferizaj më 16 dhjetor janë ndalur dy vetura me targa vendore me drejtues meshkuj kosovarë.
Sipas policisë gjatë kontrollit është vërejtur se në veturat e tyre kishin nga 4 pasagjerë/migrantë nga India dhe Nepali, të cilët sipas policisë dyshohet se e kishin destinacionin në drejtim të Shqipërisë për të vazhduar tutje drejt vendeve të BE-së.
“Lidhur me rastin, është identifikuar edhe vendi ku dyshohet se kanë qëndruar migrantët, si dhe janë hasur edhe 6 persona/migrantë tjerë nga India të cilët nuk kishin asnjë dokument me vete. Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë përkatëse të PK-së, me ç’rast migrantët, dy vozitësit dhe një person tjetër i dyshuar janë dërguar në DRK –Lindje dhe të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit nga PTH-Ferizaj”, thuhet në njoftim.