Konfiskon armë, municion dhe uniforma të Mbrojtjes Civile në Leposaviq

Armë, municion, sasi eksplozivi dhe uniforma ushtarake janë prezantuar pasditen e së premtes nga drejtoria rajonale e policisë në veri. Të gjitha këto janë konfiskuar pas një operacioni policor në fshatin Rodel të Leposaviqit, të cilat tregojnë për uniforma ushtarake të ish-Jugosllavisë, një prej tyre me mbishkrime edhe të “Mbrojtjes Civile”, e shpallur si organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës.

Në konferencë të jashtëzakonshme për media, u tha se operacioni po vazhdon dhe se një person është duke u intervistuar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se organizatat e shpallur terroriste nga institucionet vendore po vazhdojnë të veprojnë në Kosovë.

Para mediave, Sveçla shtoi se Serbia po vazhdon të strehojë terroristë serbë.

“Në anën tjetër, Serbia vazhdon të strehojë terroristin Millan Radojiqiq i cili është kupolla e gjithë këtij organizimi, i cili po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste të vazhdojë t’i mbajë të gjallë qoftë në territorin e Serbisë, ashtu edhe brenda territorit të Kosovës. Ne ju bëjmë ftesë të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtyre grupeve terroriste të dorëzohen, që të dorëzojnë pajisjet, armët dhe mjetet tjera luftarake në mënyrë që t’i kthehet jetës normale dhe që të bëhen pjesë integrale e shoqërisë”, shtoi ai.


Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se gjatë punës operative në terren është marrë informacioni se në fshatin Rodel të Leposaviqit, në një shtëpi të pabanuar ka armë dhe municion.

Drejtori i Policisë ka shpalosur listën e provave të sekuestruara nga njësitet policore në Rodel të Leposaviqit.

Lidhur me substancat e dyshuara për eksplozivë, Hoxha tha se janë marrë mostrat dhe janë duke u bërë analizat e saj.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shtoi se Policia e Kosovës është e aftë për t’u përballur me “mbetje” të terroristëve të Mbrojtjes Civile.

Ai foli edhe për protestat në Serbi dhe ndikimin që mund ta ketë kjo situatë ne Kosovë.

Sveçla tha se nuk ka asnjë indikacion se ditëve të fundit, grupe të caktuara po përgatiten për sulm. Megjithatë, ai theksoi se aparati shtetëror është i gatshëm për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetin e vendit.

Lexo edhe

Video