Komuna e Prishtinës ka shpallur sportistët më të mirë për vitit 2024 në një mbrëmje speciale të organizuar në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Sportistja më e mirë e vitit u shpall notarja Hana Beiqi, kurse sportisti më i mirë u shpall Jon Gashi nga sporti i Teakëandoës.
Me çmim special nga Komuna e Prishtinës u nderua futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova.
Klubi më i mirë i vitit tek meshkujt u shpall “2 Korriku” në futboll, kurse tek vajzat klubi i basketbollit “Prishtina.
Çmimi trajneri më i mirë i vitit i takoi Labinot Hazirit si trajner i “2 Korrikut”.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se kjo komunë po i nderon ata që po i japin krenari kryeqytetit të Kosovës, por edhe të gjithë vendit.
“Është një mundësi për të njohur dhe vlerësuar të gjithë ata që kanë kontribuar në sukseset e qytetit tonë duke e shndërruar Prishtinën në një vend ku sporti dhe angazhimi sportiv janë pjesë thelbësore e jetës së përditshme këtu në kryeqytet. Nuk ka diçka më të bukur se sa kur një qytet e përjeton lavdinë e fitores sportive e kjo është e vërtetë në secilën disiplinë e në secilin sport. Prandaj sonte po nderojmë individ të shquar, po nderojmë edhe një frymë, angazhim dhe një traditë që na i mbush stadiumet, palestrat, arenat dhe madje pishinat tona me shpresë e me krenari. Këta individ që do të nderohen sonte janë ata që na kanë tregu se përmes sportit arrihet shumë më shumë më shumë se sa fitorja, arrihet gjithçka që na bën të besojmë në mundësitë tona”, theksoi Rama.
Kurse drejtori i Drejtorisë për Sport në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Mushica tha se gjatë vitit 2024 kjo komunë ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës sportive si dhe ka mbështetur sportistë dhe organizata të shumta sportive.
“Si Drejtori e Sportit kemi qenë të përkushtuar që t’iu mbështesim në çdo hap duke investuar në infrastrukturën sportive, duke mbështetur klubet dhe organizata tona si dhe duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e sportit në kryeqytet nga ndërtimi i tribunave të reja në stadiumet e qytetit deri te krijimi i hapësirave të reja për sport dhe rekreacion. Kemi punuar që sporti të jetë sa më i qasshëm për të gjithë. Në vitin 2024 përmes subvencioneve kemi mbështetur 166 organizata sportive dhe rinore me mbi 650 kijë euro, kemi shpërblyer 54 laureatë të sportit dhe kemi ndarë bursa për sportistë të rinj duke investuar në të ardhmen e sportit prishtinas”, tha Mushica.
Ndërsa 10-shja më e mirë e shpallur përbëhet nga Arona Krasniqi, Bashkim Bajoku, Drin Kuka, Drilon Islami, Drilon Maxharraj, Elmedina Istogu, Granit Kulueta, Kiana Kryeziu, Malvina Haziri dhe Rona Gashi.