Komuna e Prishtinës dhuron gjashtë kamionë për kompaninë Pastrimi

Komuna e Prishtinës ka dorëzuar sot gjashtë nga tetë kamionët e rinj të blerë për ndërmarrjen publike “Pastrimi”, një investim që kap vlerën e 1.4 milionë euro. Sipas komunës, kjo po bëhet me qëllim të përmirësimit të gjendjes së menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet – që prej kohësh ka qenë problematike për shkak të pajisjeve të vjetruara dhe mungesës së mjeteve adekuate.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, theksoi rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e situatës në qytet.

“Jemi shumë optimistë dhe shpresojmë se kjo sado pak do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes që e kemi të keqe për momentin në Prishtinë, si pasojë e një mekanizmi të vjetruar por edhe të mangët të ndërmarrjes ‘Pastrimi’, është një investim 1.4 milionë me të cilat Drejtoria e Shërbimeve Publike i ka bërë, krejt kjo me qëllim të përmirësimit të gjendjes në kryeqytet”, tha ai.

Brestovci gjithashtu njoftoi për shpërndarjen e kontejnerëve të rinj që së shpejti do shihen nëpër pika të ndryshme të kryeqytetit.


“Shumë shpejt do të shpërndajmë edhe 2500 kontejnerë të rinj, që do të ndihmojnë në rritjen e efikasitetit të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave”, tha ai.

Nga ana tjetër, Petrit Reçica, kryeshef ekzekutiv i kompanisë “Pastrimi”, mirëpriti këtë mbështetje, duke theksuar se kamionët e rinj do të kenë një ndikim të menjëhershëm në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Rikujtojmë se Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

Ky investim vjen në një kohë kur menaxhimi i mbeturinave në Prishtinë është një nga sfidat kryesore të kryeqytetit, me kritika të shumta nga qytetarët për shërbimin joefikas dhe mbeturinat e grumbulluara në shumë lagje.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim

Lexo edhe

Video