Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 18 mijë e 163 vëzhgues të 21 subjekteve të ndryshme politike të cilat janë të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Në mbledhjen e radhës të KQZ-së u bë e ditur se dy subjektet politike, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë aplikuar me numrin më të madh të vëzhguesve, me mbi 4 mijë.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tregoi numrin e aplikuesve për vëzhgues nga 21 subjekte politike.
Përveç kësaj, ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe miratimi i rekomandimit të sekretariatit për shfrytëzimin e hapësirave të institucionit të Avokatit të Popullit për vlerësimin dhe pranimin e dërgesave postare të votimit jashtë Kosovës.
Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani tha se janë paraparë të gjitha masat e sigurisë në raport me policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera për shfrytëzimin e kësaj hapësire.
Po ashtu, anëtarët e KQZ-së miratuan pikën sipas të cilës transporti i materialit zgjedhor nga qendrat komunave drejt këshillave të vendvotimit të bëhet përmes kombibusëve dhe kamionëve, e jo me mjete private të kryesuesve.
Ndër të tjera, u aprovuan kërkesat që të bëhet zëvendësimi i anëtarit të komisionit komunal të zgjedhjeve në komunën e Deçanit, Isuf Mehemetaj me Lirije Turkaj Bufaj.
Gjithashtu, KQZ miratoi ndërrimin e lokacionit të qendrës komunale të numërimit për komunën e Gjilanit dhe të Skenderajt.
Në Gjilan u vendos që të zhvendoset në palestrën sportive “Bashkim Selishta”. Ndërkaq në Skenderaj u miratua që të zhvendoset në sallën e Edukatës Fizike në Shkollën e Mesme Teknike “Anton Çeta”.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë mbahen më 9 shkurt.