Pas një periudhe të gjatë pa reshje, java e ardhshme pritet të sjellë një përmirësim të dukshëm të deficitit të reshjeve që ka vazhduar që nga muaji shkurt.
Reshjet do të jenë të konsiderueshme, kryesisht në formë shiu në viset e ulëta, ndërsa në zonat malore pritet që reshjet të shoqërohen edhe me borë.
Kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike do të jenë në përmirësim gradual. Megjithatë, në disa zona me infrastrukturë të dobët ekziston mundësia për vërshime të shpejta për shkak të intensitetit të reshjeve. Era do të jetë e pranishme nga jugperëndimi dhe verilindja, me shpejtësi mesatare dhe lokalisht të fortë.
Mot i vranët dhe me intervale diellore do të mbretërojë ditën e hënë. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3-6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 16-19 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-4 metër për sekondë.
Të martën parashikohet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat mund të sjellin riga lokale shiu. Temperaturat minimale do të zbresin nga 4-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 15-18 gradë Celsius. Era do të jetë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperëndimit.
Mot i vranët dhe me kushte për riga shiu do të mbretërojë ditën e mërkurë. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 13-16 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë nga jugperëndimi.
Të enjten do të mbretërojë mot i vranët dhe me intervale diellore. Vende-vende parashihen kushte për riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3-6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 9-13 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-11 metër për sekondë.
Mot i vranët dhe me reshje shiu do të mbretërojë ditën e premte. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 7-11 gradë Celsius. Era do të fryjë mesatare deri e fortë nga drejtimi i veriperëndimit, thuhet në raportin e parashikimit të motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, raporton KosovaPress.