Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që të shtyhet kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që konsumatorët me mbi 50 punëtorë ose që kanë një qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në një treg të hapur energjetik.
Në një diskutim të OEK me rreth 100 biznese dhe me zyrtarë të ZRrE-së, bizneset kanë kërkuar që vendimi i lartpërmendur të shtyhet për të paktën një vit, në mënyrë që “të marrin kohën e nevojshme për të filluar përgatitjet, në të kundërtën do të dëmtohen”.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna ka thënë se sipas të dhënave nga Administrata Tatimore, sipas këtij vendimi, në tregun e hapur duhet të dalin 1 mijë e 294 biznese, derisa 61 biznese kanë të punësuar më shumë se 50 punëtorë.
“Ishte një numër shumë i madh i bizneseve, afër 100 biznese më të mëdha dhe dominuan ato prodhuese. Është një shqetësim i bizneseve për vendimin e ZRrE-së, i cili kërkon që bizneset me mbi 50 punëtorë, ose mbi 10 milionë euro që kanë qarkullim, prej 1 qershorit të dalin në tregun e hapur”, theksoi Rafuna.
Ai ka thënë se në takimin me zyrtarë të ZRrE është theksuar që kërkesa të shtyhet për të paktën një vit.
“Sipas të dhënave nga Administrata Tatimore, sipas këtij vendimi në tregun e hapur duhet të dalin 1 mijë e 294 biznese, pra janë 61 biznese që kanë të punësuar më shumë se 50, ndërsa janë 318 biznese të cilat kanë qarkullim më shumë se 10 milionë. Kurse, sipas sektorëve këtu hyn tregtia me shumicë dhe pakicë, janë 439 kompani, prodhimi vjen me 197 kompani, ndërtimtaria është me 35 kompani, informacioni dhe komunikimi me 67 kompani dhe vinë të tjerat. Kërkesa e të gjithëve ishte që të shtyhet së paku për 1 vit implementimi i këtij vendimi për shkak se biznesi është përballur me sfida të shumta dhe kjo sfidë është shtesë që vë në pikëpyetje, sidomos sektorin e prodhimit”, ka nënvizuar Rafuna.
Sipas tij, vështirësi tjetër, në rast se nuk shtyhet kërkesa e ZRrE-së, është edhe sjellja e investitorëve të huaj.
Kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që konsumatorët me mbi 50 punëtorë ose që kanë një qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në një treg të hapur energjetik, ka shkaktuar shqetësime të shumta në radhët e bizneseve të Kosovës.
Kompanitë paralajmërojnë për rritje të kostove dhe çrregullime ekonomike, nëse ndodhë shpejt ky liberalizim i tregut energjetik, raporton KosovaPress.
Duke filluar nga 1 qershori, bizneset e mëdha në Kosovë kërkohet t’i zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike.
Derisa ZRRE ka pranuar se kjo kërkesë mund të sjellë shqetësime tek bizneset dhe ka theksuar nevojën për një proces të kujdesshëm dhe mbështetje gjatë këtij kalimi.