Prokuroria Themelore në Prizren, kërkon nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj dy personave të dyshuar: N.I., dhe E.M., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, raporton KosovaPress.
Sipas Prokurorisë, gjithashtu i pandehuri N.I., ka kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga dhe ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Sipas kërkesës, i pandehuri i parë N.I., me datë 28.02.2025, pa autorizim shet, transporton, dorëzon dhe dërgon në transit substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, me qëllim shitjes në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake me personin me emrin “T.” për shitblerje të substancës narkotike, takohet me të njëjtin në afërsi të fshatit Landovicë – Komuna e Prizrenit, të cilit në bazë të marrëveshjes ia shet substancën narkotike të llojit Marihuanë me peshë prej 1019.66 gram, të vendosura në një qese plastike me ngjyrë të zezë, në këmbim të vlerës prej 2,400.00 (Dymijë e katërqind euro). Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim, transmeton KosovaPress.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, “Të pandehurit N.I., dhe E.M., me datë 07.03.2025 rreth orës 21:30 minuta, në afërsi të fshatit Landovicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, pa autorizim shesin, transportojnë, dorëzojnë dhe dërgojnë në transit substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake përmes telefonit me personin e quajtur “T.”, i pandehuri i parë N.I., vjen me veturën e tij të markës ‘’Audi’’ dhe pasi takohet me personat “T.” dhe ‘’E.’’ në parkingun e pompës së derivateve ‘’K.P.’’, hip në veturën e tyre dhe paraprakisht kërkon që t’i shohë paratë, të cilat edhe i numëron dhe menjëherë e merr në telefon të pandehurin e tretë H.H., (i cili gjendet në arrati), me ç’rast ky i fundit duke qenë i shoqëruar edhe nga i pandehuri i dytë E.M., pas pak minutash afrohen me veturën e markës ‘’VË Bora’’, dhe me të arritur në afërsi të parkingut të ish-hotel ‘’V.’, që të dy dalin nga vetura dhe së bashku nxjerrin një qese me ngjyrë të kaltër brenda së cilës ishin 11 foli alumini me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 10,510.36 në vlerë prej 25,000 euro”.
Për me tepër thuhet se në atë moment, menjëherë kanë reaguar forcat e policisë, të cilët kanë arritur ta arrestojnë të pandehurin e parë dhe të pandehurin e dytë, ndërsa i pandehuri i tretë H.H., ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes dhe vazhdon të jetë në arrati, derisa pas bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të pandehurit N.I., policia ka arritur të gjejë dhe sekuestrojë edhe një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 1,218.00 gram, dy peshore të cilat shërbejnë për matjen – peshimin e substancave narkotike, të cilat destinohen për shitje dhe një shumë parash prej 3,965.00 euro, të cilat para dyshohen të jenë përfituar nga kryerja e veprës penale.
“Në këtë mënyrë, të pandehurit e lartëcekur në bashkëkryerje ka kanë kryer veprën penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së. Po ashtu, i pandehuri i parë N.I., pa lejen e organit kompetent mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, në atë mënyrë që pas arrestimit nga ana e policisë, të njëjtit i është gjetur një pistoletë e kalibrit 7.62 mm, së bashku me një karikator me 8 fishekë, derisa pas zbatimit të urdhër kontrollit tek shtëpia e tij, gjejnë edhe katër (4) fishekë të pistoletës dhe pajisjes për pastrimin e armës. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatë.
Sipas prokurorisë, të pandehurit N.I., dhe E.M., gjenden në ndalim 48 orësh nga data 7 mars 2025 për veprat penale të lartëcekura.
Gjatë ditës, hetuesit policorë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Prizren, në vazhdën e trajtimit të një rasti, nën dyshimin për trafikim me lëndë narkotike, kanë arritur të identifikojnë të dy të dyshuar.
Policia ka hasur dhe sekuestruar substancë narkotike, dyshohet të jetë e llojit marihuanë, me peshë 10 kg e 510 gr, një armë zjarri kalibër 7.62 mm, me një karikator me 8 fishekë, dy automjete me targa vendore dhe tre telefona, raporton KosovaPress.
https://kosovapress.com/policia-sekuestron-mbi-10-kg-marihuane-dy-te-arrestuar