Kërkohet më tepër mbështetje institucionale për personat e prekur me epilepsi

Epilepsia është ndër sëmundjet më të shpeshta neurologjike në Kosovë, por për shkak të mungesës së të dhënave nuk ka numër të saktë të pacientëve. Në QKUK i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për më shumë mbështetje ndaj të prekurve me këtë sëmundje pasi kostoja e terapisë është e lartë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Epilepsisë, neurologia në Klinikën Neurologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Melihate Pushka i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për më shumë mbështetje ndaj të prekurve me këtë sëmundje, sa i përket furnizimit me barna esenciale.

Në një intervistë për KosovaPress, Pushka theksoi shpesh heziton t’iu përshkruajë pacientëve antiepileptikë të rinj, pasi nuk janë të përfshirë në listën e barnave esenciale e që kostoja e tyre është e lartë sipas saj.

Neurologia Melihate Pushka potencoi se epilepsia është ndër sëmundjet më të shpeshta neurologjike në Kosovë. Derisa tregoi se për shkak të mungesës së data-bazës në vendin tonë nuk ka numër të saktë të pacientëve të prekur me këtë sëmundje, teksa moshat më të prekura janë ata deri në moshën 25-vjeçare.


Pushka tha se menaxhimi i epilepsisë në dekadën e fundit ka shënuar progres, pasi pacientët janë më të informuar rreth kësaj sëmundjeje.

Ndër të tjera, Pushka tregoi se epilepsia prek të dyja gjinitë, pa përjashtim. Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë (IED) është një ngjarje globale e kujdesit shëndetësor, e cila sivjet shënohet me temën “Udhëtimi im i epilepsisë”.

Ngjarja synon të bashkojë pacientët që vuajnë nga epilepsia dhe të krijojë një ndjenjë komuniteti për të diskutuar gjendjen, profilin e saj epidemiologjik, diagnozën dhe trajtimin.

Epilepsia është një gjendje mjekësore e përhapur që jo vetëm që prek individin fizikisht, por gjithashtu ka ndikime të rëndësishme psikologjike dhe emocionale si te pacientët ashtu edhe te kujdestarët.

Artikulli i plotë në sistemin me parapagim.

Lexo edhe

Video