Klubi turk i futbollit Galatasaray ka akuzuar Jose Mourinhon për “deklarata raciste”, duke thënë se do të nisë procedim penal kundër trajnerit të Fenerbahçes për komentet e tij pas barazimit 0-0 të skuadrave në Superligë.
Ndërsa ishte e paqartë se për cilat deklarata i referohej Galatasaray, Mourinho tha se pankina e vendasve ishte “duke kërcyer si majmunët” dhe se ndeshja do të ishte një katastrofë nëse do të ishte duke e ndarë drejtësinë një arbitër turk.
Ndeshja e së hënës u arbitrua nga slloveni Slavko Vinçiç pasi të dy klubet kërkuan që një zyrtar i huaj të merrte drejtimin e ndeshjes, përcjellë KosovaPress.
Galatasaray tha në platformën ‘X’ se Mourinho “ka lëshuar vazhdimisht deklarata nënçmuese drejtuar popullit turk” që kur mori rolin e trajnerit në ligë.
“Sot, diskursi i tij është përshkallëzuar përtej komenteve thjesht imorale në retorikë pa mëdyshje çnjerëzore,” tha klubi.
“Ne deklarojmë zyrtarisht qëllimin tonë për të filluar procedimin penal në lidhje me deklaratat raciste të bëra nga Jose Mourinho, dhe në përputhje me rrethanat do të paraqesim ankesa zyrtare në UEFA dhe FIFA”.
Ish-trajneri i Chelseat, Interit, Portos, Manchester United dhe Tottenham Hotspur, Mourinho është gjobitur dhe pezulluar më parë për komentet e tij për gjyqtarët turq të ndeshjeve. Portugezi ka qenë sërish kritik ndaj arbitrave turq në një konferencë për shtyp pas ndeshjes.