Fletëarrestet e Serbisë kundër ish-ushtarëve të UÇK-së nuk do të zbatohen më nga policia kufitare e Maqedonisë së Veriut, sipas zëvendëskryeministrit atje, Izet Mexhiti. Një marrëveshje politike, sipas tij, është arritur në qeverinë maqedonase. Ai thotë se së shpejti do të marrin vendim “që të aplikohet një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme që ish ushtarët e UÇK-së mos të ndalohen në kufijtë e Maqedonisë së Veriut”.
Për shkak që Kosova nuk është anëtare e Interpolit – organizatës më të madhe policore globale, Serbia vazhdimisht i përditëson listat me emrat e ish-ushtarëve të UÇK-së në këtë institucion të sigurisë, gjoja për “krime lufte”.
Për shkak të kësaj, në korrik të vitit 2024, në pikë kalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletëarrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL dhe me pretendimin për krime lufte në vitin 1999 në Kosovë, ishte arrestuar ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramdani.
Megjithatë, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në një intervistë për KosovaPress thotë se ish-ushtarët e UÇK-së do të mund të lëvizin lirshëm në Maqedoni të Veriut, pavarësisht lëshimit të fletëarrestit nga Serbia në Interpol.
Ai deklaron se kanë marrëveshje politike në kabinetin qeveritar dhe se shumë shpejtë do të merret vendimi “sipas modelit kroat apo slloven që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë të përhershme”.
“Një prej çështjeve që ka mbetur prej të kaluarës është arrestimi i ish-ushtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqenëse Serbia është anëtare e Interpolit dhe Kosova nuk është, prandaj vazhdimisht i azhurnon listat e ushtarëve, dhe kjo mandej paraqet problem. Këtë problem nuk e kanë zgjidhur për 20 vjet pushtetet e kaluara apo partitë e kaluara shqiptare. Tash mund të them ekskluzive për juve se kemi marrëveshje politike në qeveri. Kemi marrëveshje politike që kjo të zgjidhet në mënyrë sistemore me modelin kroat, slloven dhe modelet evropiane. Dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt, po shohim vetëm cilin model të aplikojmë, dhe kjo do të jetë një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme, ushtarët që të lëvizin lirshëm në Maqedoni, ashtu si lëvizin në vendet e Evropës. Kemi marrëveshje politike. Duhet ta bëjmë zgjidhjen ose në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ose në kuadër të qeverisë, ashtu si e ka zgjidhur Kroacia dhe Sllovenia. Dhe ne kemi marrëveshje politike që kjo të vlejë në kuadër të kësaj qeverie, duke e përmbyllur këtë çështje në mënyrë sistemore. Që ushtarët të lëvizin lirshëm në Maqedoni, ashtu siç lëvizin gjithandej në Evropë”, thekson ai.
Mexhiti, në një intervistë për KosovaPress thotë se “Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë thyer një paragjykim ndërkombëtar” se janë të distancuar me njëra-tjetrën. Sipas tij, dy vendet janë partnerë shumë të mirë dhe se bashkëpunimi “veçse po thellohet, si ekonomik ashtu edhe politik”.
Ai përmend mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në nëntor të vitit 2024 në Prishtinë, derisa thotë se kolonat e gjata në pikat kufitare do të përfundojnë me pikën e përbashkët kufitare që do të funksionalizohet, sipas tij, në fillim të muajit prill.
Duke folur për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, ai deklaron se ditëve në vijim do të shpallet procedura e ndërtimit të tunelit mbi gjashtë kilometra.
Duke folur për Ligjin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut, Mexhiti thotë se gjuha shqipe do të marrë statusin e merituar si gjuhë zyrtare.
Sipas tij, e njëjta nuk do të cenohet asnjëherë dhe se do të jenë garant të mbrojtjes së saj.
Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit. Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji.
Ky ligj është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut dhe se ende s’ka vendimmarrje për një gjë të tillë.
Reagime politike janë shkaktuar në Shkup pas vendimit për të shqyrtuar këtë ligj, shkruan KosovaPress.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë ka paralajmëruar se në këtë mënyrë mund të cenohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si dhe Marrëveshja e Ohrit.
BDI e ka quajtur ligjin simbol i Marrëveshjes së Ohrit duke thënë se në të bazohet barazia gjuhësore.
Ditë më parë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas vendimeve të fundit të presidentes së Maqedonisë së Veriut për ndryshimet në strukturat komanduese të ushtrisë atje.
Sipas partisë së Ali Ahmetit, “përjashtimi i udhëheqësve ushtarakë shqiptarë nga pozicionet kyçe minon parimet bazë të marrëveshjes paqësore të Ohrit”, përcjellë KosovaPress.
Këto parime, siç ka thënë BDI-ja, janë thelbësore për një forcë ushtarake kohezive dhe efektive.
“Në dritën e këtyre zhvillimeve, BDI i bën thirrje urgjente NATO-s dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që të shqyrtojnë me kujdes këto veprime, të cilat jo vetëm shkelin parimet e përfaqësimit të drejtë, por gjithashtu komprometojnë gatishmërinë operacionale dhe sigurinë e forcave tona të armatosura”, ka thënë BDI në një reagim publik një javë më parë.
Sa i përket kritikave të opozitës shqiptare në Maqedoni të Veriut se në institucione ka më pak shqiptarë nën qeverinë VMRO dhe VLEN, ai thotë se e njëjta nuk qëndron.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, flet për KosovaPress edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe proceset rajonale.
Ai thotë se për koalicionin VLEN i cili është në qeverinë maqedonase, iniciativa “Ballkani i Hapur” është “e vdekur” dhe se ekzekutivi maqedonas e sheh si perspektivë vetëm Procesin e Berlinit – si mundësi të bashkëpunimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për rolin e presidentit amerikan, Donald Trump në Ballkanin Perëndimor, ai thotë se shqiptarët në rajon duhet të jenë më afër politikave të tij, pasi siç thotë ai, SHBA-ja vazhdimisht ka qenë në përkrahje të shqiptarëve.