Numri i madh i armëve pa leje në duart e qytetarëve po shihet një prej problemeve kryesore në Kosovë. Vetëm në tre ditët e fundit kanë ndodhur katër vrasje – në tri raste të ndara – si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Policia e Kosovës tha për KosovaPress se vetëm gjatë vitit 2024 janë konfiskuar 1746 armë, ndërkaq një vit më herët numri ishte 1392 armë, shkruan KosovaPress.
Vrasjet e ditëve të fundit po konsiderohen alarm për institucionet që të ndërmarrin veprime për të parandaluar raste të tilla.
Psikologu klinik, Ilir Havolli tregon disa faktorë që sipas tij ndikojnë në rritjen e rasteve të tilla.
“Disa nga faktorët psikologjik që ndikojnë siç është impulisiviteti, pastaj çrregullimet e pa trajtuar të shëndetit mendor, janë konflikte e pa zgjidhura, janë mungesa aftësive të përballimit mekanizmave të shëndetshëm. Kur kjo ndodh në periudhë kaq të shkurtër, atëherë kjo ka edhe efektin imitues, kur një akte dhune e nxitë dhe ndikon edhe në realizmin e akteve tjera të dhunës. Kjo ka ndërlidhje të përbashkët duke filluar nga faktorët social, pastaj nga problemet ekonomike nga pa mundësia e trajtimit me kohë të çrregullimeve apo vështirësive të ndryshme të shëndetit mendor”, thotë Havolli, transmeton KosovaPress.
Ndërkaq, sociologu Labinot Konushevci thotë se çështja e sigurisë duhet të shndërrohet në prioritet nacional dhe shtetëror, dhe siç thotë ai, rast të tilla nuk duhet të kalojnë si çështje statistikore.
“Ka shumë faktorë, nga këndvështrimi sociologjik, ne duhet të shohim që shoqëritë që kanë prirje dhune, faktikisht kanë mungesë të inteligjencës sociale, mungesa e komunikimit racional ose kur njerëzit e shohin dhunën si mjet komunikimi për zgjedh një problem, dhe mungesa e inteligjencës emocionale që është arma më e fortë e njerëzve që kanë, ose që ndeshen me situata të palakueshme”, thotë ai.
Të dielën më 23 mars në Vushtrri ka vdekur një 19-vjeçar i cili dyshohet të jetë vrarë nga një bashkëmoshatar i tij. I dyshuari e ka pranuar fajësinë dhe ndodhet në paraburgim.
Një tjetër vrasje – kjo e dyfishtë – ka ndodhur një ditë më vonë, më 24 mars, gjithashtu në Vushtrri. Lidhur me ketë rast, dyshohet se një burrë në fshatin Stanoc ka vrarë një grua e më pas vetën, përcjellë KosovaPress.
Vrasja tjetër ka ndodhur të martën mbrëma, më 25 mars në Prishtinë, transmeton KosovaPress. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Rrustem Hyseni”. Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur. I dyshuari për këtë rast ndodhet në arrati.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri thirrje të mërkurën për veprim të menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror, duke theksuar se organet e rendit duhet të trajtojnë me seriozitet rastet dhe të sigurojnë drejtësi për viktimat./KosovaPress
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim
Lexo edhe: https://kosovapress.com/cka-dihet-deri-me-tash-per-vrasjen-e-mbremshme-ne-prishtine
/KosovaPress/