Katër anëtarë të familjes rome me pasione të ndryshme, synimet e tyre të mëdha

Përkundër paragjykimeve e vështirësive, katër anëtarët e familjes së komunitetit rom në Kosovë, janë bërë “burim” pasioni, duke jetësuar ëndrrat e tyre për një jetë normale.

Babë e bir, tash e disa vite e hapin sallonin e tyre të floktarisë çdo ditë, duke mirëpritur klientë të nacionaliteteve të ndryshme. Derisa e zonja e shtëpisë, me një makinë të qepjes në skaj të dhomës e dy kërrabëza, pranon porosi për thurjen e çantave të ndryshme. E vajza e familjes përveç në pëlhurë, shfaq kreativitetin e saj në zanatin e thonjve.

“Mbaj mend atë qethje të parë që mezi e bëra, por babai më inkurajoi” thotë Enes Eminoviq rreth të njëzetave teksa tregon së në duar mori gërshërët që nga mosha shtatë vjeçare, duke mësuar teknikat e qethjes. 

“Unë me këtë punë merrem që rreth 12 vjet, kjo është që kur kam filluar me këtë punë, që nga dita e parë që mora makinën e rrojës në dorë dhe kur babai im, si mësues, më lejoi të filloja të qethë dhe e mbaj mend atë qethje të parë që mezi e bëra, si të thuash, kur rastësisht nuk e kam bërë si duhet, por mbi të gjitha babai më inkurajoi, dhe më tha që ajo frizurë është me të vërtetë e mirë. Dhe kjo më dha kënaqësi, vullnet, dëshirë për të vazhduar të punoj, pavarësisht se në mendime të thella e dija që puna nuk ishte bërë si duhet, por gjithherë e kam pasur në mendje atë që babai më inkurajoi. Babai si një figurë dhe një shembull se si duhet të jetë mjeshtri i këtij zanati, kështu që unë nga ai kam mësuar shumë. Kam mësuar qysh nga mosha re, kam filluar si 7-vjeçar të mësoj për teknikat, për llojet e qethjes, për mënyrën e komunikimit me njerëzit, mënyra si të riparohet makina për prerjen e flokëve”, tha Eminoviq. 

Eminoviq thotë se pavarësisht paragjykimeve, klientë nga nacionalitete shqiptarë, serbë, romë e të tjerë, zgjedhin sallonin e tyre për të stiluar flokët.

“Kam klientë të nacionaliteteve të ndryshme, më vinë klient me kombësi rome, me kombësi serbe, me kombësi shqiptare më kanë ardhur të huajt, kur ishte koha në verë kur zakonisht vijnë të huajt, kështu që vinë të nacionaliteteve të ndryshme”, tregon Eminoviq.

Zanatin për qethjen e flokëve, Eminoviq thotë se dëshiron ta mësojë edhe vëllai i tij i vogël.

Por, djali i madh i kësaj familje tregon se përveç floktarisë, ka hobi edhe montimin dhe editimin e videove.


Ndonëse, vajza e vetme e në këtë shtëpi të komunitetit rom, nuk dëshiroi të flet rreth artit të saj para kamerës, vëllai i saj Enes Eminoviq me një ndjenjë krenarie thotë se asaj po i buzëqesh një e ardhme modeste me profesionin që ka zgjedhur.

Ajo ka pasion pikturat dhe merret me artin e thonjve, punë kjo e cila konsiderohet të jetë profitabile.

“Gjithashtu, derisa jemi te motra ime, vlen të theksohet se edhe ajo ka filluar të merret me kozmetikë dhe ofrimin e shërbimeve kozmetike. Ajo, së fundmi, ka filluar të punojë me thonjtë, kështu që disa klientë janë të interesuar për punën e saj. Kështu punon dhe promovon punën e saj. Duke parë punën e saj dhe kualitetin e punës, mendoj se asaj po i buzëqesh një e ardhme modeste, me të cilën mund fitojë dhe punojë për vete”, potencon Eminoviq.

E zonja e shtëpisë, Muhabera Eminoviq tregon se e bën me qejf qepjen e çantave, e gjërave të tjera, të gjitha punë dore. Ajo thotë se artikujt e saj i ekspozon në panaire dhe përmes një shoqate, por edhe në rrjete sociale, ku më së shumti merr porosi.

“Më pëlqen ekskluzivisht të bëj çanta, kjo është dëshira ime, kam  çanta për fëmijë, kemi edhe elegante , kështu që këtu përfaqësohen të gjitha llojet.  Këtë e kam mësuar qysh si e vogël, kështu që prindërit tanë na e kanë mësuar këtë. Kjo është një traditë, kështu që unë thur triko dhe jelekë, dhe gjithçka që mund të bëhet me punë dore, por tani kjo është më e zakonshme. Unë jam në një shoqatë të grave “Avenija”, kështu që nuk dal për të shitur, vetëm kur kemi panaire. Kemi shkuar në Prishtinë, Graçanicë, Prizren, dhe aty ekspozoj produktet e mia, kështu që është faji im që nuk reklamoj veten dhe që nuk dal të shes, përndryshe unë më së shumti shkoj në panair, por edhe faqe në Facebook Muhabera Eminoviq, aty janë të ekspozuara punimet e mia. Ja këto modele janë çantat elegante, këto janë më të preferuarat, kështu që unë bëj qëndisje, ka qëndisje, pra variojnë nga 30-35 euro, dhe këto çantat janë rreth 30 euro, këto çantat për fëmije 15 euro, ka edhe për 10 ka lloje të ndryshme”, thotë Eminoviq.

Eminoviq potencon se nga ky zanat ajo kontribuon në buxhetin familjar. Por, pavarësisht kësaj, ajo shpreh dëshirën të merr sa më shumë porosi, teksa tregon edhe çmimet e tyre.

“Normalisht do të doja që biznesi im të shkonte përpara, të punoja sa më shumë, të kem sa më shumë porosi, mirë unë kontribuoj për familje në buxhetin e familjes, por jo aq shumë, të them tani, por do të doja, pse, sikur të kisha më shumë porosi, këtu jam. Deri më tani kam pasur porosi nga komuna e Graçanicës aty ku jam. Kam pasur shitje në Prizren, isha atje, kisha një shitje. Mendoj se ishin të gjitha komunitetet kështu që kam pasur.  Epo, punimet më të shtrenjta janë 40 euro, 40 euro, tani këto qëndisje po shkojnë mbi 100, 150 e kështu me radhë.  Kjo më jep kënaqësi, dua ta bëj këtë, kështu që nga koha kur fillova të punoj e deri më tani, ka pasur përparim, kështu që edhe jam shpërblyer për këto punime dore”, potencoi Eminoviq.

Ndërkaq, synimet e kësaj familje katër anëtarëshe rome nuk përfundojnë me kaq. Ata thonë se do të vazhdojnë të punojnë në profesionet që ata duan, për të arritur qëllimet e tyre.

(Ky produkt është krijuar në bashkëpunim midis CFID dhe KosovaPress, brenda kuadrit të projektit: “Kundërshtimi i stereotipeve negative për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian të Kosovës përmes iniciativës mediatike”, i cili financohet nga UNMIK).

/KosovaPress/

Video