Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar katër persona dhe ka sekuestruar drogë në vlerë prej 15 mijë euro.
Operacioni i Policisë – i koduar si “Blloku” – erdhi pas informacioneve se disa persona po merreshin me shitjen e narkotikëve.
Sipas njoftimit, të hënën më 24 mars, “Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prishtinë pas një pune operative kanë ndaluar një automjet të dyshuar në magjistralen Prishtinë- Podujevë në të cilën ndodheshin 2 të dyshuarit meshkuj kosovarë”.
“Gjatë kontrollimit të veturës është gjetur një sasi e substancës narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 10.4 gram, personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion policor”, tha Policia.
Policia tha se operacioni policor ka vazhduar tutje për identifikimin e veturës së dytë të dyshuar dhe personave të tjerë të përfshirë në rast, “dy të dyshuarit meshkuj kosovarë të cilët përkundër tentativës për të ikur dhe pas hedhjes së substancës narkotike në tokë në sasi prej 420.2 gram të njëjtit janë arrestuar nga hetuesit policor”.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe në konsultim me të njëjtin hetuesit policor kanë kryer kontroll në banesën të cilën e kanë shfrytëzuar të dyshuarit dhe janë gjetur: një paketim me bari të gjelbër e dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë 1063.8 gram; një qese me bari të gjelbër e dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë 31.8 gram; sasi e pluhurit ngjyrë të bardhë e dyshuar për narkotik të llojit kokainë me peshë 22.6 gram dhe tri peshore digjitale .
Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia e Forenzikës Rajonale të Prishtinës e cila ka bërë fotografimin dhe konfiskimin e të gjitha dëshmive të gjetura si prova material, ndërkaq nga personat e dyshuar, dy prej tyre me urdhër të prokurorit janë liruar, e dy të dyshuarit tjerë janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
/KosovaPress/