Politikanët në Kosovë duhet të jenë të bashkuar në ndërtimin e një pozicioni më të fuqishëm në tryezën e bisedimeve me Beogradin, thotë deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Në procesin e dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kamberi thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po tenton të fitojë kohë meqë, sipas tij, ai e di që zgjidhja e procesit në fund do të jetë “e pafavorshme” për të. Megjithatë, sipas Kamberit, lidershipi atje tashmë e di se “çizmja serbe më nuk do ta shkelë Kosovën”.
Kamberi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se presidenti i Serbisë po tenton të minimizojë fajësinë për gjenocidin e kryer në Kosovë.
Mbi 13 mijë civilë të vrarë, mbi 20 mijë të përdhunuar seksualisht, mbi 6 mijë të zhdukur – prej tyre rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e më shumë se 800.000 persona të zhvendosur gjatë luftës së viteve në 1998-1999 në Kosovë. Serbia vazhdon t’i mohojë krimet që i ka kryer në Kosovë.
Kamberi thotë se Vuçiq, përmes sulmeve terroriste, ka tentuar ta ndajë veriun e Kosovës.
Pjesa veriore u përball me tensione, sidomos në vitet e fundit. Në shtator të 2023-ës, terroristë serbë sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit.
Një vit më vonë, më 29 nëntor 2024, kanali i lumit i Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, u dëmtua pas një shpërthimi të madh.
Autoritetet e Kosovës thanë se sulmi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës ishte terrorist dhe i orkestruar nga bandat kriminale të mbështetura nga Beogradi zyrtar.
Derisa flet për dialogun e Brukselit, proces ky në të cilin Kosova ka hyrë që prej vitit 2011, Kamberi thekson nevojën për unitet të brendshëm.
Shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë – zonën që njihet si Lugina e Preshevës, vazhdojnë të përballen me diskriminim.
Në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Serbia po vazhdon me “spastrim etnik” përmes pasivizimit të adresave.
Gjatë intervistës për KosovaPress, Kamberi flet edhe për ndalesat e shqiptarëve në pikat kufitare me Serbinë dhe refuzimin që po iu bëhët kërkesave për vizita që ministrat e Kosovës po synojnë t’i zhvillojnë në Luginë.
Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Serbisë ka miratuar një projektligj për “juridiksionin gjyqësor serb në Kosovë”, si dhe një tjetër për shpalljën e Kosovës “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.
Kamberi thotë se, prakikisht, një projektligj i tillë është i pavlefshëm në Kosovë.
Projektligjet e Serbisë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, janë kritkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duke thënë se në këtë mënyrë shteti serb ka shkelur obligimet e dialogut të Brukselit.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…