Japonia po planifikon të vendosë raketa me rreze të gjatë në ishullin e saj jugor, Kyushu, për shkak të shqetësimeve mbi qëndrimin e administratës Trump ndaj marrëveshjeve të sigurisë dhe tensioneve rajonale, shkruan The Guardian.
Raketat, me një rreze prej rreth 1,000 km, do të jenë të afta të godasin objektiva në Korenë e Veriut dhe rajonet bregdetare të Kinës. Ato do të vendosen vitin e ardhshëm në dy baza me garnizone ekzistuese raketash, duke forcuar mbrojtjen e zinxhirit të ishujve Okinawa dhe duke qenë pjesë e zhvillimit të “kapaciteteve kundërgoditëse” të Japonisë në rast sulmi.
Për të shmangur provokimin e Kinës, nuk pritet që raketat të vendosen në ishujt Okinawa, të cilët ndodhen vetëm 110 km larg Tajvanit. Pas rritjes së kërcënimit nga Kina dhe Koreja e Veriut, Japonia po synon të forcojë sistemet e saj të armëve.
Presidenti Donald Trump kritikoi marrëveshjen e sigurisë Japoni-SHBA, duke thënë se nuk është reciproke dhe theksoi se Japonia përfiton shumë ekonomikisht nga marrëdhënia, transmeton KosovaPress.
Shimada, profesor në Universitetin e Prefekturës Fukui, beson se masat proaktive, si zhvillimi i sistemeve më të avancuara raketore, do të forcojnë lidhjet SHBA-Japoni dhe se kërkesat e administratës Trump për marrëveshje mbrojtjeje reciproke nuk janë të paarsyeshme. Sidoqoftë, Dujarric nga Universiteti Temple thekson se është shqetësuese se aleanca SHBA-Japoni është në krizë, dhe qëndrimet e Trump mund të dëmtojnë angazhimet ndaj marrëveshjeve të vjetra.
Në dy baza të Forcës së Mbrojtjes Tokësore (GSDF) në Kyushu po shqyrtohet vendosja e raketave të reja, që pritet të jenë versione të përmirësuara të raketave të udhëhequra tokë-det.