Ja sa pritet të shtrenjtohet rryma nga muaji prill

Ja sa pritet të shtrenjtohet rryma nga muaji prill

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike të rritet me 15 për qind duke nisur nga muaji prill.

Propozimi i ZRRE-së vjen pasi javë më parë, KOSTT, KEDS dhe KESCO kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

ZRRE ka publikuar raportin konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, ku është propozuar shtrenjtimi i rrymës, raporton KosovaPress.


“Publikimi i raporteve konsultative për të Hyrat Maksimale të Lejuara Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka publikuar Raportet Konsultative që lidhen me të hyrat maksimale të lejuara për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU). Ky publikim përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përcaktimit të tarifave dhe ka për qëllim të sigurojë mundësinë për përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në këtë proces të rëndësishëm. Raportet Konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRRE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje.”

“Ky publikim ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat. Bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15%.”

ZRRE fton ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në raportin konsultativ dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre deri më 28 mars 2025.

Kujtojmë, ZRRE bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars. Më 2024, ZRRE uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë tre për qind, por në vitin 2023 rriti tarifat me 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Lexo edhe

Video