Linja ajrore italiane ITA Airways ka rifilluar sot fluturimet direkte për në Tripoli pas një pauze 10-vjeçare për shkak të luftës civile në veri të Libisë, njoftuan linja ajrore italiane dhe ministri i Transportit nga Tripoli.
Italia është vendi i parë i madh evropian që rifillon fluturimet me Libinë, gjë e cila u njoftua në fund të vitit të kaluar.
Kompania njoftoi se do të ketë dy fluturime direkte në javë nga aeroporti Fiumicino i Romës në aeroportin Mitigi në Tripoli.
Shumë linja ajrore ndërkombëtare kanë pezulluar fluturimet për dhe nga Libia që nga shpërthimi i luftës civile në 2014 midis dy administratave rivale në lindje dhe perëndim të vendit.
Lufta shpërtheu pas një kryengritjeje që rrëzoi udhëheqësin Muammar Gaddafi në vitin 2011. Disa linja ajrore rifilluan fluturimet për në Libi pasi siguria u rivendos pas vitit 2020 dhe ndërprerjes së luftimeve të mëdha. Por përpjekjet për t’i dhënë fund krizës politike po dështojnë dhe herë pas here shpërthejnë konflikte të armatosura midis fraksioneve rivale për kontrollin e burimeve.
BE ende nuk i lejon avionët civilë libianë në hapësirën e tij ajrore. Ministri i Transportit i Qeverisë së Unitetit Kombëtar në Tripoli, Muhammad al-Shahubi, tha se avionët e kompanive nga Tunizia, Egjipti, Malta, Turqia dhe Jordania tashmë kanë rifilluar fluturimet direkte për në Libi.