Petar Petkoviq po përdor sërish frikën si armën kryesore për të detyruar serbët e Kosovës të mbështesin Listën Serbe, tha njohësi i sigurisë, Avni Islami.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Një degë e Beogradit që nuk punon për interesat e popullit serb, por për strukturat mafioze dhe agjendën politike të Aleksandar Vuçiqit”, ta Islami në një postim në Facebook.
Islami ka komentuar një deklaratë të Petkoviqit ku pretendon se vetëm Lista Serbe mund të “mbrojë” serbët.
“Këto fjalë nuk janë asgjë tjetër, veçse manipulim dhe përpjekje për të frikësuar serbët, të cilët prej vitesh vuajnë represion nga Serbia”, tha Islami.
Ai shtoi se “Lista Serbe prej kohësh nuk është një opsion politik që mbron interesat e serbëve në Kosovë por ajo funksionon sipas urdhrave të Beogradit dhe klaneve kriminale – me Milan Radoiçiqin në krye”, tha ai.
Ish-nënkryetari i Listes Serbe, Milan Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, në shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Petkoviq dhe Lista Serbe duan të monopolizojnë hapësirën politike dhe të ndalojnë çdo alternativë tjetër, sepse çdo përfaqësues politik që nuk është nën kontrollin e tyre mund të mbrojë të drejtat e serbëve, pa u shërbyer interesave të Vuçiqit dhe strukturave të tij kriminale”, tha Islami.
“Është ironike që Lista Serbe akuzon Kurtin për spastrimin etnik të Kosovës, ndërsa vetë është e përfshirë në frikësimin e serbëve që nuk duan të ndjekin verbërisht regjimin e Vuçiqit. Çdo serb që guxon të kundërshtojë Listën Serbe etiketohet si tradhtar, dhe shumë janë përballur me kërcënime, presion dhe madje sulme fizike”, shtoi Islami.