“Ishulli i majmunëve” në Vietnam po mahnit turistët me popullimin e tij të begatë dhe në rritje të majmunëve dhe bimësisë, raporton Anadolu.
Vizitorët në ishullin Can Gio, që ndodhet në qytetin Ho Chi Minh, mund të vëzhgojnë majmunët nga afër dhe të eksplorojnë ekosistemin unik përmes shëtitjeve në natyrë, përcjellë KosovaPress.
E listuar si një rezervë biosfere e UNESCO-s, kjo zonë është një qendër e rëndësishme për përpjekjet mbi ruajtjen e mjedisit.
Rezervati i biosferës Can Gio, i njohur gjithashtu si “ishulli i majmunëve”, ndodhet 40 kilometra larg qendrës së qytetit Ho Chi Minh. Kjo zonë ndahet nga një rrjet kanalesh dhe lumenjsh.
Me një sipërfaqe prej 80 mijë hektarësh, Can Gio përfshin pyllin e mangrove, zonën ligatinore, “ishullin e majmunëve” dhe plazhin. Ky ishull është shtëpia e më shumë se 2 mijë majmunëve, gjë që e bën këtë rezervë një nga ishujt më të mëdhenj të majmunëve në Vietnam, transmeton KosovaPress.
Ishulli Can Gio, jo vetëm që është një vend atraktiv për vizitorët, por gjithashtu është edhe ndalesa e shumë shkencëtarëve nga mbarë bota për të studiuar biodiversitetin e sistemit të florës dhe faunës.