Ish-zëdhënësi i NATO-s: Trupat amerikane në KFOR e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë

Nëse Shtetet e Bashkuara kanë trupa ushtarake në një vend, kanë tendencë të interesohen për gjeopolitikën e atij shteti, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea. Ai thekson rëndësinë e pranisë së trupave amerikane në Kosovë në mënyrë që SHBA-ja të mbahet e angazhuar në diplomacinë konstruktive rajonale, shkruan KosovaPress.

Trupat amerikane gjithashtu e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë”, thotë Shea në një intervistë për KosovaPress, duke theksuar se nuk pret që presidenti amerikan të tërheqë trupat nga Evropa. Aktualisht, SHBA-ja i ka rreth 100.000 trupa në Evropë.

KFOR-i në Kosovë – që është garantuesi i tretë – i ka rreth 4.600 pjesëtarë, prej tyre 600 janë trupa amerikane.

Shea shpjegon se numri i forcave amerikane në Kosovë nuk paraqet barrë për buxhetin e Pentagonit por promovon nivel të jashtëzakonshëm stabiliteti, transmeton KosovaPress.

“Sigurisht, prania amerikane është e rëndësishme. Kur e konsideroni zhvendosjen e forcave amerikane në mbarë botën, në Korenë e Jugut, në Japoni, në Filipine, në disa pjesë të Lindjes së Mesme, dhe sigurisht, në Evropë, numri në Kosovë është i vogël. Është shumë, shumë i vogël. Nuk është një barrë e madhe për buxhetin e Pentagonit. Por promovon një nivel të jashtëzakonshëm stabiliteti dhe parandalimi gjithashtu, duke parandaluar agresionin kundër Kosovës. Prandaj, shpresoj shumë që ato forca amerikane të mbeten“, thotë Shea.

Ndoshta evropianët do të duhet të paguajnë më shumë për këtë. Nuk e di, siç thashë, sepse Trump është shumë i fokusuar te çështjet financiare. Por trupat, trupat amerikane gjithashtu e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë. Nëse Shtetet e Bashkuara kanë trupa në një vend, ata kanë tendencë të interesohen për gjeopolitikën e atij vendi dhe të luajnë një rol në diplomacinë e rajonit gjithashtu. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të kesh atë praninë e dukshme të SHBA-së për të mbajtur SHBA-në të angazhuar në diplomacinë konstruktive rajonale gjithashtu”, shton ai, përcjellë KosovaPress.

Diskutimi rreth trupave amerikane në Evropë është rritur në fillim të këtij viti pasi zyrtarë të lartë në administratën e re në SHBA u bënë thirrje evropianëve që të rrisin shpenzimet për mbrojtje, me deklarata të tillë që evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në Evropë të zgjasë përgjithmonë.

“Dhe për NATO-n, po, ka disa njerëz, jo shumë në qeveri, por në lëvizjen më të gjerë të Trumpit që janë skeptikë ndaj NATO-s. Por deri tani, presidenti Trump nuk ka bërë thirrje për të braktisur NATO-n. Trump mund të lëvizë disa trupa, po, ka disa thashetheme që ndoshta ai do të zhvendosë disa trupa nga Gjermania në Poloni. Do të duhet të presim dhe të shohim. Por kjo është në rregull, në kuptimin që ato trupa do të mbrojnë ende kufijtë lindorë të NATO-s. Mendoj se në fund, NATO është një pjesë shumë e rëndësishme e fuqisë globale të Amerikës. Ajo i jep Shteteve të Bashkuara tre të katërtat e të gjithë aleatëve të saj, është në interesin vetjak të Amerikës. Kështu që pres disa turbullira, por nuk pres që presidenti Trump të tërheqë [trupat] nga NATO”, thotë Shea.

KFOR-i operon në Kosovë prej qershorit të vitit 1999.

Prezenca e këtij misioni ishte rritur pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, më 2023 – kur grupe serbe të financuara nga Beogradi sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Një vit më vonë, në fund të vitit 2024, serbët sulmuan edhe infrastrukturën kritike të Kosovës, shkruan KosovaPress.

Duke folur për këto zhvillime, Shea nuk sheh mundësi për një konflikt të ri por thotë gjithmonë ekziston rreziku i incidenteve. Andaj sipas tij, është shumë e rëndësishme të KFOR-it të punojë ngushtë me Policinë e Kosovës.

“Mendoj se nuk do të ketë një konflikt të madh, jo, por fatkeqësisht, provokime, po, dhe për këtë arsye nevojiten të jemi të gatshëm, siç thashë, të parashikojmë, të reagojmë shpejt, dhe të parandalojmë që këto incidente të jenë më tragjike, ose të mos jenë aq tragjike sa mund të ishin, le ta themi kështu. Kam parasysh, Banjska, kur shihni armët e këtyre forcave paramilitare, ishte si një lloj mini ushtrie, e cila mund të kishte shkaktuar humbje masive jete. Dhe kështu është gati një mrekulli që Policia e Kosovës arriti të parandalonte, e dini, që të ndodhte ajo humbje masive jete”, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s.

Se NATO-ja është e gatshme t’i përgjigjet zhvillimeve të sigurisë në Kosovë, e tha edhe Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte gjatë vizitës së tij në Kosovë javën e kaluar. E nga politikanët, ai kërkoi fleksibilitet dhe kompromise në dialogun Kosovë-Serbi.


Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea thotë se nuk është e qartë se sa do të ketë Kosova prioritet në agjendën e Shtëpisë se Bardhë.

Por, ai porosit që Kosova duhet të krijojë marrëdhënie të mira me administratën Trump, përcjellë KosovaPress.

Nuk është shumë e qartë se sa do të ketë prioritet, jo vetëm Kosova, por edhe Evropa në përgjithësi, në agjendën e Shtëpisë së Bardhë. Por duhet të imagjinoj se Trump nuk do të ketë harruar që ai ishte i interesuar për Kosovën herën e kaluar. Ai pëlqen të shfaqet si një pajtues, njeriu që mund të zgjidhë konflikte të vështira që presidentë të tjerë, njerëz të tjerë nuk mund t’i zgjidhin. Dhe sigurisht, do të duhet të presim dhe të shohim. E kam thënë në intervista të mëparshme që mendoj se është e rëndësishme që Kosova të krijojë marrëdhënie të mira me njerëzit në administratën Trump”, thotë Shea.

Shea thekson se Trump ka ndikim që t’i kthejë në tryezë liderët e Kosovës dhe ata të Serbisë.

Për t’i bërë ata jo vetëm të bëjnë marrëveshje të reja, por të zbatojnë – natyrisht Serbia duhet të nënshkruajë marrëveshjen kornizë të Ohrit – marrëveshjet që tashmë janë arritur dhe kjo do të na çonte përpara me një hap të madh”.

Ai shton se integrimi evropian i Kosovës është i domosdoshëm.

“Duhet të jemi të sinqertë, besimi u prish pak në qeverinë e fundit, në administratën e fundit të BE-së, veçanërisht në lidhje me mënyrën se si Prishtina e trajtoi situatën në veri. Disa nga deklaratat që u bënë, disa nga komunikimet që u bënë. Por unë them në çdo intervistë se kjo nuk ka kuptim, sepse miqtë e Kosovës janë në Bruksel. Përgjithësisht, Kosova ka një të ardhme evropiane. Integrimi i saj në Evropë është i domosdoshëm. Kjo është ajo që populli i Kosovës do. Prandaj nuk mund të kesh një grindje me miqtë tuaj. Grindemi me armiqtë, jo me miqtë. Dhe kështu që shpresoj, përsëri, që tani mund të kemi një fillim të ri”, thotë Shea.

Përveç aspiratave për anëtarësim në Bashkim Evropian, Kosova synon të bëhet edhe pjesë e NATO-s. Ky proces nuk është fare i lehtë derisa ka vende anëtare që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Jamie Shea, i cili ishte zëri i NATO-s në kohën e luftës në Kosovë, shpreson që aleanca të thellojë partneritetin me Kosovën, shkruan KosovaPress.

“Nuk e di kur Kosova do të bashkohet me NATO-n. Por unë jam një mbështetës i madh i atij drejtimi. Dhe mendoj se gjëja kryesore është që të mos humbasim kohë, të mos stagnojmë dhe të sigurohemi që hapat, hap pas hapi, Kosova vazhdon të afrohet me NATO-n, duket më shumë si një aleat i NATO-s me kalimin e ditëve. Shpresoj që çështja e njohjes, me të cilën vazhdojmë të jetojmë, do të zgjidhet shpejt, si në BE, ashtu edhe në NATO. Dhe shpresoj që të paktën unë të jem ende këtu në këtë botë të shoh që kjo të ndodhë. Dhe natyrisht, do të më jepte kënaqësi të jashtëzakonshme personale ta shihja këtë të ndodhte”, thotë Jamie Shea.

Intervista e plotë në sistemin me parapagim

Lexo edhe: https://kosovapress.com/kosoves-po-i-jepet-mundesia-te-afrohet-me-shume-me-nato-n

https://kosovapress.com/nato-me-deklarate-zyrtare-pas-vizites-se-ruttes-ne-kosove-dhe-bosnje

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video