Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani: Merz do të vazhdojë mbështetjen ndaj Kosovës

Shteti gjerman do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe nën udhëheqjen Friedrich Merz, i cili është në rrugë për t’u bërë kancelar i ri i Gjermanisë, thotë ish-ambasadori i Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu.

Ai deklaron se me Merz dhe koalicionin fitues të zgjedhjeve në Gjermani, CDU/CSU, Kosova mund të avancojë në procesin integrues në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Merz, e njeh situatën politike në Kosovë dhe “do të angazhohet për stabilitet në Ballkanin Perëndimor”.

Aleanca konservatore e Gjermanisë CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, fitoi zgjedhjet e 23 shkurtit në Gjermani. E dyta është renditur partia e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe e treta SPD, Partia Socialdemokrate e Kancelarit aktual, Olaf Scholz. 

Fitoren e CDU-së e mirëpret diplomati kosovar, derisa thotë se njëjta ka pasur fokus Kosovën edhe në periudhën e ish-kancelares, Angela Merkel.

Krahas kësaj, Xhakaliu, thotë për KosovaPress se edhe në Bundestagun gjerman janë zgjedhur deputetë që kanë kontribuar për Kosovën dhe njohin nga afër edhe procesin e dialogut me Serbinë.

Gjermania ka qenë dhe mbetet mbështetëse kryesore, si vend i BE-së, ndaj proceseve të Kosovës. Në aspektin e projekteve ekonomike apo mbështetjes politike. Natyrisht se me zgjedhjet që u zhvilluan, dhe kancelarin e ardhshëm Friedrich Merz, do të kemi mbështetje. Vëmendja dhe fokusi i CDU-së në kuadër të ish-kancelares Merkel ka qenë për Ballkan, dhe sidomos për Kosovën, që të kemi një stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Prandaj, besoj se është shumë mirë që kemi një rezultat të tillë dhe një koalicion të gjerë i cili do të ketë mbështetje për Kosovën dhe integrimin e Kosovës në proceset e BE-së”, thekson ai.

Ai pret edhe fuqizim të Procesit të Berlinit – nismë kjo për bashkëpunimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.


Sipas tij, shteti gjerman pritet të ketë prioritet edhe situatën e sigurisë në Ballkan dhe stabilitetin afatgjatë, duke pas parasysh luftën në Ukrainë dhe mundësinë e ndikimeve nga jashtë.

Procesi i Berlinit në dy vitet e fundit s’ka pasur aq vëmendje nga qeveria e kaluar. Prandaj besoj se qeveria e ardhshme gjermane do të ketë më shumë fokus në këto procese. Do të jetë një ndihmë më e vlerësuar sesa deri tani, pasi fokusi çdo herë ka qenë që të ketë një stabilitet në Ballkan”, shton Xhakaliu.

Duke folur për procesin zgjedhor në Gjermani, ish-ambasadori Xhakaliu, thotë se mandatari për kryeministër nga CDU/CSU, Friedrich Merz, pritet të bëjë koalicion të gjerë me socialdemokratët, partinë e kancelarit aktual, Olaf Scholz.

Ai thekson se Merz nuk do të bëjë koalicion me partinë e të djathtës ekstreme – Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Në anën tjetër, ish-ambasadori kosovar në Gjermani flet për KosovaPress edhe për nevojën e krijimit të institucioneve të reja në Kosovë.

Ai thotë se Kosovës i duhet një qeveri stabile, e përbërë nga një koalicion gjithëpërfshirës.

Ne si vend i vogël dhe duke parë dinamikën e zhvillimeve në Evropë dhe jashtë saj, Kosovës, patjetër që i duhet një qeveri stabile. Duhet një qeveri gjithëpërfshirëse me një shumicë parlamentare për shkak të vendimeve të rëndësishme që mund të vijnë. Po ashtu, për shkak të procesit të dialogut që mund të fillojë së shpejti dhe për shkak të vendimmarrjeve të shpejta që po ndodhin nga presidenti Trump në shumë çështje. Mund të jetë fokus edhe Kosova në muajt e ardhshëm. Besoj se nuk do të ishte mirë që të kemi një prolongim disa mujor për formimin e qeverisë. Mandatari dihet që ka mundësinë për të formuar qeverinë dhe besoj se edhe partitë e tjera opozitare do të jenë të gatshme, nëse bëhet ftesë për një koalicion të mundshëm”, përfundon ai./E.Zeqiri/

Lexo edhe

Video