Qeveria e Kosovës emëroi të mërkurën Irfan Lipovicën drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Lipovica ishte arrestuar, në gusht 2023, si i dyshuar në rastin e rezervave shtetërore. Më pas ishte liruar nga paraburgimi në fund të muajit gusht të atij viti.
Ministrja Rozeta Hajdari në arsyetimin e propozimit tha se ky institucion ka rëndësi të lartë për ekonominë. Ajo tha se procesi i përzgjedhjes së kësaj pozite është zhvilluar në mbështetje të legjislacionit në fuqi.
“Akreditimi si proces me rëndësi të lartë për ekonominë vërteton cilësinë dhe besueshmërinë e institucioneve dhe bizneseve, pasi që përmes këtij procesi vlerësohet përputhshmëria e produkteve dhe të proceseve e shërbimeve me standarde ndërkombëtare e vendore duke garantuar kështu që të ofrojë nivel të lartë të cilësisë”, tha ajo.
Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi emëroi edhe Ridvan Hoti, zëvendësdrejtorit Ekzekutiv për Trajtim të Burgosurve në Shërbimin Korrektues te Kosovës.
Krahas kësaj, qeveria miratoi edhe raportin e përgjithshëm vjetor mbi Inspektimet, ndërkaq dritën e gjelbër ia dha edhe analizës juridike për thjeshtimin, bashkimin ose eliminimin e lejeve ose licencave të lëshuara të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bankës Qendrore, Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të tjerëve./KosovaPress
Në këtë mbledhje, Qeveria e Kosovës themeloi të mërkurën Këshillin Organizativ për shënimin e 12 qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se është detyrë e të gjithëve që në memorien më të kthjellët kolektive të kujtohet Dita e Çlirimit të Kosovës.
Kosova shënon 12 qershorin si Ditë të Çlirimit nga okupatori serb, ku në atë ditë më 1999 kanë hyrë në Kosovë trupat e NATO-s./KosovaPress
/KosovaPress/