Në shënimin e Ditës Botërore të luftës kundër kancerit, operatori i shërbimeve të telekomunikimeve- IPKO, ka ndarë sot donacion dy ultrazë mobil, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Vushtrrisë.
Drejtori gjeneral i IPKO-s Andras Pali, tha se IPKO, ka interes të madh për të bërë Kosovën më të mirë.
Pali, premtoi se ky operator, do të ndihmojë edhe në të ardhmen, qytetarët që kanë nevojë.
“Kemi një interes të madh për ta bërë Kosovën më të mirë dhe për të zhvilluar komunitetet lokale përmes sportit dhe arsimit. Një nga gjërat për të cilat jemi krenarë është se kemi pasur shumë lidhje të ngjashme në të kaluarën. Na dhatë një tregues të mirë për atë që do t’ju duhet. Ne do të ndërhyjmë dhe mund t’ju ndihmojmë, dhe kjo është padyshim diçka që na pëlqen. Shpresojmë që kushdo që ka ndonjë nevojë, ju të mund ta ndihmoni. Kjo është diçka që besoj se mund ta premtojmë edhe për të ardhmen dhe jemi vërtet të lumtur që mund ta bëjmë këtë së bashku”, tha Pali.
Ndërsa, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, shtoi se nuk është hera e parë që IPKO ndihmon këtë komunë.
Sipas tij, këto pajisje janë shumë të rëndësishme për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
“Nuk është hera e parë që IPKO ofron donacion për institucionet e komunës së Vushtrrisë. Këto pajisje janë shumë të rëndësishme për të ofruar shërbime sa më të mira qytetarëve”, shtoi Idrizi.
E drejtoresha e QKMF-së, Naile Xhaka theksoi se me këtë donacion, do të plotësohet laborati dhe do të ngrit cilësinë e përgjithshme të shërbimeve shëndetësore.
“Do ta plotësojmë laboratorin me këtë dhe dy ultrazëra që na kanë ardhur për diagnostifikim më të shpejtë të pacientëve dhe për referim në kohë të duhur, si dhe për ngritje të cilësisë të përgjithshme të shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë”, theksoi ajo.
Ky donacion, në sektorin e shëndetësisë është i 25-ti për IPKO-n, ndërsa donacioni i sotëm i ka kushtuar 17 mijë euro.
