Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA) Laura Saro dhe drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja në Maqedonisë së Veriut Refik Xhemaili nënshkruan në Tiranë Memorandumin e Mirëkuptimit për nxitje të bashkëpunimit tregtar dhe investimeve mes dy vendeve.
Memorandumi përcakton forcimin e bashkëpunimit në fushën e tërheqjes së investimeve të huaja, lehtësim dhe mbështetje tregtare për kompanitë nga të dyja vendet dhe krijimin e mekanizmave për shkëmbimin e informacionit dhe praktikave të mira të biznesit.
Agjencia për Investime të Huaja në Maqedoninë e Veriut, mori pjesë në Match-Maker Albania 2025, një ngjarje e rëndësishme biznesi që u mbajt të enjten në Tiranë.
Ky event synon të nxisë partneritetet strategjike, të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim tregtar dhe të forcojë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet kompanive nga rajoni.
Si pjesë e ngjarjes, Invest Macedonia u prezantua me stenda informative, ku kompanitë nga Maqedonia e Veriut patën mundësinë të prezantojnë produktet, shërbimet dhe potencialin e tyre investues para partnerëve dhe investitorëve shqiptarë.
Kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta biznesore dhe për të prezantuar avantazhet konkurruese të ekonomisë maqedonase.
Këshilltari shtetëror për investime nga Invest Maqedonia e Veriut, Igor Velevski ishte pjesë e panelit të diskutimeve kushtuar investimeve dhe mundësive të eksportit, raporton ATSH.
Ai theksoi rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal dhe potencialin për projekte të përbashkëta mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Përfaqësuesit e Invest Maqedonia e Veriut zhvilluan takime të shumta me kompani, institucione dhe investitorë potencialë shqiptarë. Në kuadër të këtyre takimeve u diskutuan mundësitë për partneritete të reja, investime dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, përcjell KosovaPress.