Iniciativa për Progres (INPO) ka analizuar trendin e kontratave të nënshkruara përmes procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2024, në të gjitha autoritetet kontraktuese në Kosovë.
Sipas INPO, gjatë kësaj periudhe janë nënshkruar 192 kontrata të tilla me vlerë totale prej 13 milionë e 988 mijë e 700 euro. Ndërsa, sipas INPO-s krahasuar me Tremujorin e tretë të vitit 2024, vlera e përgjithshme e kontratave të lidhura me procedurë të negociuar ka shënuar një ulje prej 11.5 për qind.
“Në periudhën tetor-dhjetor 2024 në nivel vendi janë lidhur 2838 kontrata përmes procedurave të prokurimit publik. Sipas procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë janë lidhur 192 sosh. Vlera e përgjithshme e të gjitha kontratave të nënshkruara për TM4 2024 është 31 milionë e 737 mijë e 539 euro. Ndërkaq, vlera e kontratave të lidhura sipas procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë për periudhën e TM4 2024 është 13 milionë e 988 mijë e 700 euro”, thuhet në publikimin e INPO-s.
Për më tepër, sipas INPO-s nga 192 kontrata me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit, kontrata për punë shtesë apo aneks kontrata janë lidhur 106 sosh.
Në vitin e kaluar ka pasur edhe debat parlamentar për tenderët njëburimor, ku opozita kishte kritikuar qeverinë për numrin e madh të kontratave njëburimore të lidhur nga institucionet e shtetit.