Iniciativa Studentore për Novacion kërkon hapësira për aktivitete

Iniciativa Studentore për Novacion 68 ka mbajtur aksion protestues si reagim ndaj mungesës së hapësirave të dedikuara për studentët për aktivitete kulturore dhe artistike, si dhe ndaj, sipas tyre, neglizhencës nga menaxhmenti i Qendrës së Studentëve. Të njëjtit kanë kërkuar që kërkesat e tyre të merren parasysh.

Bujar Hoxha, anëtar i kësaj organizate, u shpreh se aktivitetet që ata janë të detyruar t’i mbajnë jashtë, janë pasojë e “mbylljes së hapësirave të dedikuara për studentët brenda Qendrës së Studentëve”, raporton KosovaPress.

Ai theksoi se në vend të këtyre hapësirave, ato janë shndërruar në zyra administrative dhe hapësira komerciale.

Ne po përballemi me një tjetër formë shpërfilljeje: nuk na japin hapësirën për të menduar, për të bashkëpunuar, për të krijuar. Na duan pasivë, nëpër kafene të qytetit dhe pa mundësi për të zhvilluar mendimin kritik dhe kreativitetin tonë. Por studentët nuk do të heshtin. Nëse nuk na lejojnë hapësira brenda, ne do t’i marrim rrugët. Nëse na mbyllin dyert, ne do të vazhdojmë të krijojmë, të organizohemi dhe të kërkojmë atë që na takon. Sot nuk kërkojmë lëshime, por të drejtat tona. Ne nuk do të ndalemi derisa aktivitetet studentore të kenë hapësirat e tyre të merituara”, tha Hoxha.


Në anën tjetër, Ilir Kiçmari, pjesë e bordit të organizatës, tha se problemi qëndron me neglizhencën e menaxhmentit të Qendrës së Studenteve.

Siç tha ai, kërkesat e tyre që kanë adresuar në QS, janë shpërfillur, përcjellë KosovaPress.

Ne nuk e dimë a ka hapësira, për aq sa dimë salla e konferencave ku ne kemi mbajtur aktivitete në të kaluarën është kthyer në zyre dhe përdoret  për Agjencinë e Akreditimit të Kosovës. Sipas informacioneve që ne i kemi, Amfiteatri i hapur që është aty ku ne kemi mbajtur shumë aktivitete tradicionale deri me sot, kemi marr informacione se do të rrënohet dhe do të kthehet në konvikt për banim”, tha Kiçmari.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim

Video