Departamenti i Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në UP ka inauguruar sot “Laboratorin e gazetarisë mobile & UPpodcast”. Vlera e këtij projekti është mbi 25 mijë euro e mbështetur nga “Tayna Foundation”.
Financuesja e këtij projekti, këngëtarja Doruntina Shala – Tayna tha se është krenare që ka arritur ta mbështes këtë departament, që sipas saj “nesër gazetarët e rinj të kenë mundësi më të mira për t’i ndjekur ëndrrat e tyre”.
“Sot jam shumë krenare që kam mundësi me mbështet këtë fushë, që nesër brezat e ardhshëm të gazetarëve të rinj dhe të brezit të rinj të kenë hapësire dhe mundësi me ndjek pasionin e vetë, dhe me nda me krejt botën dhe me i zbulua edhe gjeneratat e reja. Duke qenë këtu e kam kuptuar se sa e rëndësishme është me mbështet dikën, me pas dikën që të mbështet dhe sa e rëndësishme është me inkurajua të tjerët me i ndjek ëndrrat e veta, i jam mirënjohës për fakultetin dhe administratën për punën që e kanë bërë gjatë viteve”, tha ajo.
Ndërsa prorektori Avni Hajdari tha se ky është investimi më afatgjatë që do të përfitojnë studentët, por edhe Universiteti i Prishtinës.
Laboratori është pajisur me teknologjinë më të fundit, duke krijuar një mjedis moderne dhe kushte më të mira për studentët dhe profesorët e gazetarisë.