Imazhet e reja satelitore të publikuara nga Maxar Technologies sugjerojnë se Rusia është e përfshirë në atë që zyrtarët amerikanë e përshkruajnë si zgjerimin më ambicioz të prodhimit ushtarak që nga Bashkimi Sovjetik.
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), kapaciteti i prodhimit të motorëve të raketave me lëndë djegëse të ngurtë duket të jetë një nga fokuset më urgjente të Rusisë në kohët e fundit.
Sipas IISS, Rusia po rrit kapacitetet për prodhimin e motorëve të raketave me lëndë djegëse të ngurtë në pesë lokacione që lidhen me prodhimin e lëndëve djegëse të ngurta.
Fotot satelitore nga Maxar Technologies në raportin e IISS tregojnë jo vetëm teknologjinë në zhvillim, por edhe restaurimin e mundshëm të objekteve “të fjetura” nga epoka e BRSS-së dhe ndërtimin e infrastrukturës së re.
Identifikimi i qëllimit të një zgjerimi është i ndërlikuar. Sipas raportit të IISS, ekziston mundësia që objekte të shumta të përfshihen në zhvillimin dhe prodhimin e motorëve për një sistem të vetëm raketor, një skenar i parë i dokumentuar nga CIA kur po zhvillohej ICBM Sovjetike (Raketat Balistike Ndërkontinentale). Për shkak të kësaj, është e vështirë të dihet saktësisht se për cilin zgjerim të programit të raketave bëhet fjalë.
Prodhimi i kimikateve kryesore të nevojshme për prodhimin e lëndëve djegëse të ngurta është gjithashtu një nga problemet e Rusisë.
Sipas raporteve të shtypit rus të cituara nga IISS, Rusia aktualisht mbështetet vetëm në një prodhues të perkloratit të amonit, një oksidues kritik i përdorur në shumicën e lëndëve djegëse moderne të përbërë. Ndërmarrja Federale Shtetërore Anozit në Rajonin Novosibirsk ka njoftuar planet për të rinovuar linjën e saj të prodhimit të perkloratit të amonit në vitin 2022.
Megjithatë, imazhet satelitore nuk kanë treguar ende ndryshime të rëndësishme në fabrikë, kështu që mbetet e paqartë nëse Rusia po e blen këtë kimikat kyç nga furnizuesit alternativë.
Importet ruse të raketave balistike nga Irani dhe Koreja e Veriut sugjerojnë se prodhimi i tyre i SRBM (raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi) është i pamjaftueshëm për luftën në Ukrainë.
Zgjerimi i kapacitetit të saj të prodhimit në lëndë djegëse të ngurtë mund t’i lejojë Rusisë të rinovojë dhe përmirësojë arsenalin e saj ekzistues të sistemeve kryesore të vendosura në Ukrainë.
Në afat të gjatë, ky zgjerim mund të forcojë gjithashtu aftësinë e Rusisë për të zhvilluar sisteme që mund të përbëjnë një kërcënim për anëtarët e NATO-s.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës në rrjetin social X, që nga fillimi i luftës, Rusia ka humbur pothuajse 10 mijë tanke, 19.059 automjete të blinduara luftarake, më shumë se 20 mijë sisteme artilerie, pothuajse 20 mijë mjete ajrore pa pilot dhe – më e rëndësishmja – më shumë se 1 mijë sisteme raketash të shumta.