IMAX arrin në Kosovë, Cineplexx çon përvojën e filmit në nivelin e ri të teknologjisë së avancuar

Nga nesër entuziastit e filmave do të mund ta shijojnë një eksperiencë të re kinematografike me ardhjen e IMAX-it në Cineplexx në Albi Mall, në Prishtinë.

IMAX është një teknologji e avancuar e projeksionit të filmit dhe e ekranit që ofron një përvojë më intensive dhe më të pasur të shikimit të filmave krahasuar me ekranet tradicionale të kinemasë.

IMAX karakterizohet me ekrane të mëdha, qartësi dhe ngjyra më të theksuara, tingull 3D dhe “surround” dhe detaje të tjera që e bëjnë të veçantë në krahasim me atë se çfarë jemi mësuar të shohim.

Kjo risi, e para në rajon, që kushtoi mbi 5 milionë euro ka për qëllim që t’u dhurojë një eksperiencë të paharrueshme entuziastëve të filmit.

Me rastin e prezantimit të kësaj teknologjie të avancuar e projeksionit të filmit,  Cineplexx dhe Albi Mall organizuan një konferencë për media, në të cilën u theksua rëndësia e kësaj prurjeje të re.

Përfaqësuesi nga “Albi Group”, Betim Humolli tha se IMAX si një nivel i lartë i kinematografisë ka ardhur eksluzivisht në Cineplexx.

Ai tha se kjo risi është e para në rajon dhe se kostoja e IMAX-it kalon shifrën prej 5 milionë euro investim.


“Vlen të theksohet se IMAX do të jetë eksluzivisht në Cineplexx në Albi Mall. Kjo është një teknologji tjetër, një nivel tjetër për sa i përket kinematografisë. Ne kemi një bashkëpunim të gjatë me Cineplexx qysh nga viti 2016 kur edhe e kemi sjellë për herë të parë në Albi Mall dhe në Kosovë Multiplexin e parë të kinemave në vendin tonë. Tani jemi shumë të lumtur po e sjellin me risi të reja. Pra, po e sjellim IMAX-in e parë, sallën e parë në rajon. Në rajonin tonë. Nuk ka në Tiranë e as në Shkup. Është e para në këtë rajon. Është investim goxha i madh, tejkalon vlerën prej rreth 5 milionë euro. Po ashtu është edhe një sallë tjetër Lux apo Vip që është në anën tjetër. Të dyjat hapen për publikun nga nesër”, tha Humolli.

Ndërkaq, shefi i Zhvillimit të Biznesit në selinë e Cineplexx, Lucas Langhammer tha se IMAX-i është përvoja më e mirë kinematografike.

Ai u shpreh krenar për sjelljen e IMAX-it në Prishtinë, për çka tha se si Cineplexx e shohin veten si inovatorë ambiciozë.

“Sigurisht, kjo është përvoja më e mirë kinematografike që mund të keni aktualisht. Ne si Cineplexx e shohim veten si inovatorë ambiciozë, si entuziastë të filmit dhe jemi veçanërisht krenarë që për herë të parë, me ndihmën dhe mbështetjen e fortë të familjes Humolli këtu në Albi, po sjellim IMAX në Prishtinë, dhe padyshim jemi të lumtur që jeni këtu. Për mua, si dikush që është rritur në këtë industri, që ka jetuar kinemanë, që ka përjetuar shikimin e filmave në kinema, mund të them sinqerisht se ky ekran, ky tingull dhe kjo përvojë plotësisht gjithëpërfshirëse, nuk ka asgjë më të mirë se ajo. Është më e madhe, më guximtare, më e mirë; është më e mira që mund të keni tani”, u shpreh Langhammer.

Përfaqësuesi i IMAX-it, Julien Tranchant tha se IMAX është bërë nga entuziastë të filmit për entuziastë të filmit. Sipas tij, IMAX-in e veçon pjesa e prodhimit të filmave.

“IMAX është bërë nga entuziastë të filmit për entuziastë të filmit. IMAX është me të vërtetë për gjithë përfshirjen, që vjen nga një grup teknologjishë që keni në këtë dhomë: ekrani, projekcioni, OjO. Të gjitha këto bashkohen për t’ju ofruar një përvojë të mahnitshme. Ajo që e veçon IMAX është gjithashtu pjesa e prodhimit të filmave. Për shembull, filmi Captain America është xhiruar me kamera IMAX. Ne jemi shumë të lumtur që po e sjellim këtë përvojë për fansat tanë kudo. Zakonisht kemi disa fansa që udhëtojnë për orë të tëra ose marrin avionin për të përjetuar IMAX, kështu që duam ta sjellim më afër njerëzve. Prandaj jemi të gëzuar dhe krenarë që hapim një të ri për herë të parë këtu në Kosovë”, theksoi Tranchant.

Ekranet Imax janë shumë më të mëdha se ekranet standarde dhe mund të mbulojnë pothuajse të gjithë fushën e shikimit të shikuesit, duke krijuar një efekt “gjithëpërfshirës”.

Lexo edhe

Video