Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për vaksinimin kundër gripit sezonal. Sipas Institutit, javën e fundit, sipas numrit të rasteve të raportuara “intensiteti i gripit është në aktivitetin e lartë të qarkullimit duke e kaluar pragun epidemik”.
“Duke qenë që sezoni i gripit zgjat edhe për disa muaj, IKSHPK u bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim moshe që të vaksinohen si masë parandaluese, me theks të veçantë grupeve me prioritet si: punëtorët shëndetësor; gratë shtatzëna; personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar; personat mbi 65 vjeç; dhe fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Një njoftim thuhet se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për këtë sezon 85.000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksinohen në secilën komunë, në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare.
Ndër të tjera, Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë edhe masa të tjera parandaluese siç është mbajtja e higjienës personale, evitimin e kontakteve të afërta me individë të sëmurë, reduktimin e vizitave të familjarëve tek personat e hospitalizuar, evitimin e vendeve të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz, ushqimin e shëndetshëm me shumë vitamina, aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm, personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi.
Gjithashtu, rekomandohet konsultimi me mjekun për përdorimin e barnave.