Identifikimi i të pagjeturve, Kurti: Serbia kreu gjenocid në Kosovë

Identifikimi i të pagjeturve, Kurti: Serbia kreu gjenocid në Kosovë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar pas identifikimit të 11 personave të zhdukur në Bishtazhin 26 vjet pas përfundimit të luftës, duke thënë se kjo është dëshmi e qartë se Serbia kreu krime çnjerëzore dhe gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Pas 26 vjetësh në varrezën masive në Bishtazhin janë gjetur dhe identifikuar Adem Gashi, Sahit Gashi, Bekim Hasani, Sheremet Ismajli, Mentor Myrtaj, Osman Fejza, Shkelzen Hajdaraj, Bekim Gashi, Sabedin Kryeziu, Mentor Kryeziu dhe Vehbi Halilaj.

Pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë, i kishin rrëmbyer dhe groposur në varreza masive, në përpjekje që t’i zhdukin, bashkë me dëshmitë e krimeve.

Më 2 prill 1999, ata, bashkë me qindra burra dhe djem shqiptarë, u grumbulluan me dhunë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, në një fushë në Kralan, rrethuar me tanke. Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë.

Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat, ka shkruar Kurti në Facebook.


Ai ka theksuar se qëndrojnë bashkë për të mos lejuar harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë dhe të përbashkuar në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë.

“Në këto ditë, e çdo ditë tjetër, të përbashkët e kemi dhembjen dhe nderimin për martirët e dëshmorët e kombit në Kosovë. Jemi pranë familjeve, me gjithë përkrahjen e mundshme, në këtë rrugëtim të vështirë të dhembjes dhe kujtesës. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të dashurit tonë që sakrifikuan jetën për lirinë që ne e gëzojmë”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë, Kosova vazhdon të kërkojë zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e personave të zhdukur, transmeton KosovaPress.

Në janar 2025, delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime në Bruksel me përfaqësuesit e BE-së për çështjen e të pagjeturve. Pala serbe është larguar nga bisedimet e komisionit të përbashkët.

Në Kosovë janë edhe rreth 1.600 persona të pagjetur nga përfundimi i luftës.  

Lexo edhe

Video