Mbrojtësi i Romës, Mats Hummels, ka kërkuar falje për një gabim që çoi në një karton të kuq të hershëm në humbjen 3-1 të Romës kundër Athletic Club të enjten. Mbrojtësi gjerman mori një karton të kuq direkt pas vetëm 11 minutash në “Estadio San Mames”, shrkuan KosovaPress.
“Giallorossët” humbën ndeshjen 3-1 dhe u eliminuan nga raundi i 16-të i Europa League. Claudio Ranieri nuk e fajësoi arbitrin, duke thënë se vendimi i tij ishte i saktë.
“Më vjen keq Roma. Dua t’u kërkoj falje tifozëve tanë dhe bashkëlojtarëve të mi”, ka shkruar Hummels në Instagram pas ndeshjes, përcjellë KosovaPress.
“I zhgënjeva të gjithë sot me një gabim që ishte thjesht prej një budallai dhe i tmerrshëm. Këto lojëra dikur ishin lojërat që skuadra ime mund të mbështetej tek unë, tani unë jam i shqetësuar dhe i kushtoj të gjithë klubit ëndrrën për të fituar Ligën e Evropës. Nuk di çfarë të them tjetër, jam po aq i zhgënjyer si të gjithë ju”, ka shkruar gjermani.
Mbrojtësi 36-vjeçar ka bërë 17 paraqitje me Romën këtë sezon, duke shënuar një gol.
Eliminimi i Romës do të thotë se ata kanë vetëm Serie A për të luajtur këtë sezon, pasi ata tashmë janë eliminuar nga Kupa e Italisë. Ndeshja e radhës e Romës është kundër Cagliarit në “Stadio Olimpico” më 16 mars.
Largimi i Romës do të thotë gjithashtu se Serie A ka vetëm tre klube të mbetura në garat evropiane: Interi në Champions League, Lazio në Europa League dhe Fiorentina në Ligën e Konferencave.