Qytetarë të shumtë në oborrin e QKUK-së derisa Thaçi po qëndronte me babain e tij

Gjatë qëndrimit të ish-presidentit, Hashim Thaçi në Klinikën Interne të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, qytetarë të shumtë qëndruan pranë këtij objekti, raporton KosovaPress.

Burra dhe gra të moshave të ndryshme qëndruan aty që prej orës 11:00 kur Thaçi erdhi për ta vizituar babain e tij të sëmurë.

Ata u shprehën të emocionuar derisa thonë se ish presidenti  Thaçi po mbahet padrejtësisht në Hagë. Ata besojnë se shumë shpejtë ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kthehen fitimtar në Kosovë, transmeton KosovaPress.

Skender Hamiti thotë se u ndje mirë dhe i emocionuar kur pa ish-presidentin Thaçi derisa po hynte në Klinikën Interne.

Din Bytyqi derisa tregon se me të dëgjuar nga njerëzit e tjerë se Thaçi gjendet në QKUK erdhi për ta parë atë. Sipas tij, gjendja shëndetësore e babait të ish-presidentit është e rëndë.

Ndërkaq, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari thotë se viziton vazhdimisht Thaçin, Kadri Veseli dhe të tjerët. Ai shprehet i bindur se ish-krerët e UÇK-së do të lirohen nga akuzat shumë shpejtë dhe do të kthehen në Kosovë.

Edhe Nazmi Thaçi, vëllai i ish-presidentit, ka pritur para kësaj klinike bashkë me qytetarë të tjerë dhe media, transmeton KosovaPress.


Pas disa kërkesave të refuzuara, Gjykata Speciale ia ka aprovuar kërkesën Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij të sëmurë, transmeton KosovaPress.

Në refuzimet e mëhershme, Specialja vlerësonte se gjendja e babait të Thaçit “nuk është aq e rëndë”.

Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.

Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi për KosovaPress se e kanë lejuar vizitën e Hasim Thaçit në Kosovë “për arsye humanitare” që i njëjti të vizitoi babain e tij që ndodhet në spital.

“Po, mund ta konfirmoj. Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babain e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, tha një zëdhënës i gjykatës.

Thaçi ndodhet në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020, shkruan KosovaPress.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video