Qytetarët kanë nisur homazhet pranë arkivolit të babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, në Skenderaj. Haxhi Thaçi vdiq të dielën pasi për një kohë qëndroi i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Komuna e Skenderajt ka nisur homazhet në orën 09:00 të martën, në Palestren “Ilaz Kodra”.
Të pranishëm janë nëna e ish-presidentit Thaçi, bashkëshortja, dali i tij dhe anëtarë të tjerë të familjes, KosovaPress.
Homazhet do të përfundojnë në orën 12:00 kur edhe pritet të nis akademia përkujtimore. Më pas, në orën 15:00 do të mbahet ceremonia e varrimit në varrezat e reja në Burojë të Skenderajt.
Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gjykata Speciale nuk i ka dhënë leje Hashim Thaçit që të marrë pjesë në varrimin e babait të vet.
Lidhur me këtë, në Kosovë pati reagime të shumta, përfshirë edhe ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila tha se për këtë do t’i drejtohet kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilova.
Hashim Thaçi vizitoi të enjten babain e vet në QKUK, me një leje nga Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton KosovaPress.
Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.
Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.
Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.
Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.
Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.