Familjet Haradinaj dhe Gërvalla distancohen nga çdo gjuhë denigruese për familjet, UÇK-në dhe kombin shqiptar.
Ish-pjesëtari i UÇK-së dhe ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se familjet Haradinaj dhe Gërvalla janë së bashku si çdo herë.
“Haradinajt dhe Gërvallajt si çdo herë bashkë! Çdo gjuhë denigruese për familjet, UÇK-në dhe kombin ne distancohemi”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Kujtojmë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur me 10 mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës zgjedhore.
Kandidatja për deputete Donika Gërvalla dhe kandidati për kryeministër Albin Kurti kanë përdorur gjuhë të papërshtatshme gjatë një tubimi në Deçan. Gjatë këtij fjalimi, Gërvalla, duke aluduar për Ramush Haradinaj, të njëjtin e quan “gjeneral të vetëshpallur”.
“Ankuesi thekson se deklaratat e bëra nuk janë asgjë tjetër veçse një tentativë për të manipuluar opinionin publik, ku shihet qartë se Gërvalla e akuzon liderin e një partie opozitare për vrasës dhe kriminel”, thuhet në arsyetimin e PZAP-it.